Lajmet e fundit
Analistët politikë: Vetëm kështu mund të zhbllokohet Kuvendi!

Analistët politikë: Vetëm kështu mund të zhbllokohet Kuvendi!

Bllokimin e Kuvendit nga opozita, të paralajmëruar të vazhdojë deri në tërheqjen e nënshkrimit të Kryeministrit Mustafa nga Marrëveshjet e Brukselit, analistët politikë e shohin si diçka jo të lehtë për ta  kapërcyer.

Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi ka thënë për Gazetën Blic, se Kuvendi apo ‘shtëpia e sovranit’, siç ai e ka quajtur, duhet të dalë nga ky bllokim. Megjithatë, sipas tij, opozita duhet lënë të veprojë deri në momentin kur nuk cenohet demokracia në vend.

“Nuk është bërë kiameti për OmletPerforamnsën në Kuvend, por “shtëpia e sovranit” (Kuvendi) duhet të debllokohet që përfqësuesit të mund ta ushtrojnë përfaqësimin! Në anën tjetër, çka duhet të bëjë sovrani për ta debllokuar Kuvendin mbi të cilin po tentohet “puç” klasik” ? Me e rrahë opozitën me polici? Jo. Duhet toleruar opozita derisa nuk e cenon  demokracinë në vend. Por, shteti duhet të funksionojë dhe nëse opozita nuk lejon punën në Kuvend, dhe në të ardhmen shteti obligohet ta përdorë “dhunën legjitime”, ka thënë Matoshi.

Ai më pas ka shtuar, se qëllimi i opozitës  ka qenë që ta ulin Kryeministrin, dhe se skenat që u paraqitën në Kuvend, ngjajnë me një ‘aleancë të fshehtë’ kundër rendit, rend ky të cilit duhet t’i përmbahen të gjithë udhëheqësit e shtetit.

“Ideja e VV-së dhe opozitës që ta komprometojnë Kryeministrin e vendit në Kuvend (Glauk Konjufca e pranoi se “qëllimi ynë ishte ta poshtërojmë Kryeministrin”, e Veseli i bërtiti sigurimit të Kryeminsitrit pse e mbronin: “Kush ju tha me hy, dilni jashtë…” – A ju duket kjo aleancë kundër rendit legal në Kosovë, të cilin obligohen me Kushtetutë që ta mbrojnë edhe deputetët, edhe Qeveria, por edhe Presidentja e vendit.  Natyrisht që Kosova është në krizë të thellë që nga ngërçi gjashtëmuajsh e deri te kjo e mosfunksionimit demokratik të institucioneve, për garantimin e funksionimit demokratik të të cilave është përgjegjëse Presidentja”, ka thënë Matoshi.

Kurse, publicisti Imer Mushkolaj, ka thënë se është pak e vështirë për të dalë nga kjo bllokadë. Megjithatë, ai i cili duhet t’ia fillojë procesin e zhbllokimit, është vetë Kryeministri i vendit, sipas tij.

“Nuk është e lehtë që bllokada të tejkalohet. Opozita duket e vendosur në aksionin e saj politik. Hapin e parë drejt zhbllokimit të situatës duhet ta bëjë kryeministri Isa Mustafa, i cili deri më tash e ka injoruar opozitën duke mos e konsultuar as formalisht, madje edhe për çështje të rëndësishme, siç janë marrëveshjet me Serbinë”, ka thënë Mushkolaj për Gazetën Blic.

Ai më pas ka shtuar, se edhe presidentja Jahjaga mund të kontribuojë në këtë drejtim. Megjithëkëtë, derisa Kryeministri ecën me qasjen e njëjtë, gjendja vështirë se do të rregullohet, mendon ai.

“Mbase një rol në këtë drejtim mund ta luajë edhe presidentja e vendit, por unë jam skeptik që situata do të zhbllokohet shpejt. Nëse Mustafa vazhdon me qasjen arrogante e përjashtuese ndaj opozitës si deri më tash, atëherë gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë dhe kriza politike do të thellohet. Ka kaluar koha kur pushteti ka mundur të mbahet me polici e dhunë”, ka përfunduar Mushkolaj.

Ndryshe nga këta, mendon njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi. Ai thotë, se zgjidhja e vetme për ta kaluar këtë krizë, është që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndonëse nuk do të sjellin diçka më të mirë, sipas tij. Kjo, pasi siç shprehet Krasniqi, Qeveria dhe Opozita nuk do të arrijnë të dialogojnë, ani pse kjo do të ishte forma më e përshtatshme.

“Dialogu ndërmjet pozitës dhe opozitës mbetet mundësia e vetme që skenat brenda Kuvendit, mos të barten në rrugë dhe të shndërrohen në përleshje të dhunshme. Por nuk besoj që do të ketë dialog ndërmjet pozitës dhe opozitës, sepse të dyja palët janë barrikaduar dhe nuk do të lëshojnë pe. Atëherë, zgjidhja e vetme për t’i shmangur protestat e dhunshme, mbeten zgjedhjet e parakohshme, por as zgjedhjet nuk do të prodhojnë asgjë të re, përveç zëvendësimit të ndonjë partie të opozitës, me ndonjë parti që është në pushtet”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, për ta kapërcyer këtë situatë, nevojitet një qeveri krejtësisht tjetër.

“Kam thënë shumë herë, që të dalim nga kjo gjendje e rëndë në të cilën ndodhet Kosova dhe ta shpëtojmë këtë vend, Kosovës për një mandat i duhet një Qeveri e shpëtimit kombëtar, me njerëz të dijes dhe intelektualë të mirëfilltë, të ndershëm dhe të panjollosur”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Blic.

Partitë opozitare (VV, AAK dhe NISMA) para tri dite e kanë bllokuar raportimin e Kryeministrit, duke hedhur vezë në drejtim të tij. Por, përveç kësaj, këto parti kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë të zhvillohet një seancë ku do të raportojë Mustafa, si dhe do të vazhdojnë me bllokimin deri sa Kryeministri t’i zhbëjë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Opozita përpos kësaj, qe disa ditë ka nisur të mbledhë peticionet e qytetarëve, në mënyrë që të bëhen sa më shumë nënshkrime kundër këtyre marrëveshjeve. /Gazeta Blic/ Arbesa Ibrahimi

Leave a Reply

Your email address will not be published.