Analiza e “Stratfor”: Rivaliteti mes Rusisë dhe Perëndimit në Ballkan; Kundërvënia e Rusisë ndaj Perëndimit; Interesat e Turqisë; Dhuna në Maqedoni…
Sfidat e mëdha rajonale, në një rajon ku rivalitetet gjeopolitikë dhe mosmarrëveshjet lokale kanë qenë historikisht një kombinim shpërthyes, Rusia, Turqia dhe Perëndimi, të gjitha përballen me një rival në Ballkan: paqëndrueshmërinë politike.
I gjendur në pikëpjekjen e tre perandorive historike, rripi i tokës midis Mesdheut dhe Detit të Zi ka qenë prej një kohe të gjatë fokusi i konkurrencës mes fuqive globale.
Tani është thjeshtë një arenë në “përplasjen e brirëve” mes Rusisë dhe Perëndimit.
Megjithatë, teksa të dy palët përpiqen të blejnë influencë me investime dhe projekte energjetikë, dhe Turqinë që mundohet fort për të kapur ritmin, sfidat e brendshme politike rrezikojnë të hedhin në erë përpjekjet e bëra nga jashtë për të zhvilluar rajonin.
Teksa fuqitë e mëdha përdorin fuqinë e tyre financiare dhe politike për të fituar influencë në Ballkan, qeveritë e dobëta lokale do të vazhdojnë të ecin në “traun e ekuilibrit” mes kombeve që konkurrojnë midis tyre.
Analiza Kohët e fundit, fuqitë rajonale dhe botërore i kanë kushtuar një vëmendje tepër të madhe vendeve të Ballkanit.
Në 15 maj, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov vizitoi Serbinë, vetëm pak ditë pasi Kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse, Valentina Matviyenko u takua me udhëheqësit serbë në Beograd.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Bosnje Hercegovinën në 20 maj – ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu dhe zëvendëskryeministri, Ali Babacan kanë bërë vizita të ngjashme muajin e fundit. (Pak ditë më parë Erdgogani vizitoi edhe Shqipërinë).
Udhëheqësit perëndimorë kanë demonstruar gjithashtu një interes të madh për rajonin, teksa Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry dhe Sekretari i Jashtëm Britanik, Philip Hammond, vizituan Bullgarinë në janar, ndërkohë që zyrtarë të lartë të SHBA vizitojnë rregullisht Rumaninë. Investime strategjikë nga Perëndimi Qeveritë perëndimore kanë dy objektiva madhorë në Ballkan: të ruajnë stabilitetin në pjesën perëndimore të rajonit dhe të minimizojnë influencën e Rusisë.
Për këtë qëllim, SHBA dhe BE janë përfshirë në politikat e brendshme të vendeve të Ballkanit, që kur NATO dërgoi trupa pas luftës së Bosnjës dhe konfliktit në Kosovë, në vitet 1990.
Trupa perëndimore vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë, në cilësi paqeruajtëse. Bashkimi Europian ka përdorur një sasi të konsiderueshme burimesh dhe kapitali politik për të sjellë reforma dhe zhvillim ekonomik në rajon, por rezultatet kanë qenë të përzierë. Perëndimi ka avantazhin e qasjes në sasi të mëdha fondesh për zhvillim dhe për mbrojtjen, të cilët mund të ndahen mes vendeve të “uritur” për rritje ekonomike.
Vende si Serbia dhe Maqedonia nuk ka gjasa që t’i bashkohen Bashkimit Europian gjatë dekadës së ardhshme; ato frenohen prej ndarjeve të brendshme dhe ndeshin në rezistencën e anëtarëve aktualë të BE-së.
Megjithatë, ato gjithsesi përfitojnë prej të mirave ekonomike që vijnë prej lidhjeve të ngushta me Europën. Mes viteve 2014 dhe 2020, Bashkimi Europian ka në plan të japë 1.5 miliardë Euro për Serbinë, një vend që aspiron për anëtarësim, dhe 11.4 miliardë Euro për Bullgarinë, një vend anëtar.
(Qytetarët bullgarë përfitojnë prej mundësisë për të udhëtuar lirisht dhe kërkuar punë në vendet e BE).
Po kështu, ka një sasi domethënëse ndihme për mbrojtjen që shkon për Bullgarinë, si pjesë e një përpjekjeje për të forcuar anëtarët e NATO-s përgjatë kufirit me Rusinë.
Kriza e Ukrainës i galvanizoi Shtetet e Bashkuara, për të forcuar mbrojtjen përgjatë skajit lindor të NATO-s.
Aleanca e Atlantikut të Veriut ka zgjeruar forcën e saj shumëkombëshe të reagimit, ka krijuar një forcë të re të mobilizimit të shpejtë dhe ka krijuar një zinxhir avanpostesh në Ballkanin lindor, të quajtura njësitë e integrimit të forcës, që shërbejnë si qendra komande gjatë një konflikti.
Në të njëjtën kohë, luftimet në Ukrainë shtynë Bashkimin Europian që t’i japë prioritet projektit të gazsjellësit të Korridorit të Jugut, i cili do të anashkalonte gjigandin energjetik rus, Gazprom, në tregun energjetik europian si dhe do të reduktonte varësinë e Europës nga Rusia.
Po kështu, Perëndimi i kërkoi me forcë Bullgarisë që të mos marrë pjesë në projektin e Rusisë, “South Stream”.
Kur Bullgaria u tërhoq, Rusia shpalli anulimin e projektit në dhjetor. Rusia i kundërvihet Perëndimit Nga ana e saj, Rusia ka përdorur influencën e vet në Ballkan, aty ku ka lidhje të ngushta historike dhe kulturore me vende si Serbia dhe Greqia, për të kërcënuar interesat e Perëndimit.
Megjithatë, interesi i Kremlinit në rajon gjatë vitit të fundit, buron pikësëpari prej përkeqësimit të marrëdhënies së tij me Perëndimin.
Objektivi i Rusisë në Ballkan është që të pengojë zgjerimin e trupave perëndimore dhe infrastrukturës ushtarake në rajon, ndërkohë që të ruajë forcën e mjaftueshme për të vënë në zbatim projekte strategjikë të infrastrukturës energjetike.
Ndonëse perëndimi ka më shumë burime për të investuar në Ballkan, Rusia zotëron shumë asete rajonalë energjetikë dhe ka disa hua ende të papaguara që ia ka dhënë qeverive të vendeve të Ballkanit. Moska ia ka dalë që të ruajë marrëdhënie të mira diplomatike me disa oligarkë lokalë, sidomos në Bullgari. Në vitin 2008, Gazpromi bleu shumicën e aksioneve në kompaninë serbe të naftës, NIS.
Ashtu si Bashkimi Europian, Rusia i ka ofruar fonde Serbisë – afro 1.5 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit. Kremlini firmosi gjithashtu marrëveshje energjetike dhe huash me Republika Srpska, entiteti etnik serb në Bosnje-Hercegovinë. Trysnia e Perëndimit mund t’i ketë dhënë fund projektit South Stream, por gazsjellësi që Rusia ka në plan të ndërtojë në vendin e tij, Turkish Stream, mund të ndihmojë Gazpromin që të kundërpeshojë përpjekjet e europianëve për diversifikimin e burimeve të energjisë.
Gazsjellësi do të transportonte gaz natyror përgjatë Detit të Zi, deri në kufirin turko-grek. Për të ndihmuar Gazpromin që të arrijë tregjet e Europës Qendrore, Rusia ka mbrojtur ndërtimin e një gazsjellësi që do të kalonte nga Greqia në Maqedoni, Serbi dhe Hungari.
Përveç Turqisë, këta katër vende janë në qendër të ofensivës diplomatike ruse.
Megjithëkëtë, teksa Rusia përpiqet fort për menaxhimin e sfidave të brendshme financiare dhe politike, hapësira e saj e manovrimit në Ballkan është relativisht e kufizuar.
Turqia ka lidhjet e saj kulturore dhe interesat ekonomike në Ballkan, por aktualisht asaj i mungojnë burimet dhe fuqia ushtarake për të rivalizuar Rusinë dhe Perëndimin.
Një prej objektivave strategjikë të Turqisë është të ruajë influencën në Detin e Zi.
Historikisht, Ankaraja e ka arritur këtë gjë duke u ankoruar në Danub.
Ky objektiv kërkon menaxhim të marrëdhënieve me shtete të tjerë të Ballkanit që lagen nga Deti i Zi.
Por Turqia po përpiqet të afrohet gjithashtu me Bosnje Hercegovinën, ku Ankaraja synon të rrisë ndikimin e saj përmes lidhjeve kulturore dhe historike.
Këto lidhje janë të rëndësishme: Boshnjakët myslimanë nisën të migrojnë drejt Turqisë në shekullin 17, dhe janë disa milionë qytetarë turq që sot thonë se kanë rrënjë boshnjake.
Kjo afërsi etnike ka nxitur nisma të vazhdueshme qeveritare për të investuar në Bosnje Hercegovinë.
Turqia nuk mund të arrijë nivelin e investimeve financiare që fuqitë Perëndimore dhe Rusia angazhojnë në Ballkan.
Por, si “portieri” për në Detin e Zi dhe si vend anëtar i NATO-s, Turqia luan një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si përgjigje ndaj krizës në Ukrainë.
Po kështu, Turqia ia ka dalë që të përdorë mjete financiare dhe politike për të siguruar favore në Bosnje.
Turqia është mes pesë investitorëve kryesorë në vend.
Në fakt, zyrtarët turq pretendojnë se Turqia ka investuar 1.1 miliardë dollarë në Bosnje, që nga viti 1995 – një shumë e madhe kjo për një vend, GDP-ja e të cilit është 18 miliardë dollarë.
Gazsjellësi Turkish Stream, nëse ndërtohet, padyshim që do të fuqizojë Turqinë.
Ankaraja do të luante një rol qendror në ndërtimin e tij, dhe do ta përdorte atë rol për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me vende që do të merrnin gaz natyror prej Turkish Stream, duke përfshirë Maqedoninë dhe Serbinë.
Dhuna në Maqedoni Pavarësisht vëmendjes që tërheqin prej fuqive të mëdha, vendet e Ballkanit janë shpesh herë të paqëndrueshëm, dhe paqëndrueshmëria e tyre mund të pengojë ndikimin e fuqive të huaja.
Për shembull, në 9 maj shpërtheu dhuna në Maqedoni, kur trupa të Ministrisë së Brendshme sulmuan, ata që sipas tyre ishin militantë etnikë shqiptarë në Kumanovë, gjë që arriti kulmin me vdekjen e 8 policëve dhe 14 prej atyre që qeveria i quan militantë.
Afro 40 policë u plagosën dhe 30 militantë u arrestuan.
Ka edhe lajme, të pakonfirmuara, për viktima në civilë.
Qeveria e Maqedonisë argumentoi se ky operacion në qytet u krye për të mos lejuar që militantët të kryenin sulme terroristë në vend. Megjithatë, koha e zhvillimit të operacionit shtyu shumëkënd të besojë se ai ishte i motivuar politikisht – një shpërqendrim që do të largonte vëmendjen nga programi i paligjshëm i përgjimeve nga ana e qeverisë.
Gjakderdhja në Kumanovë, bashkë me zbulimet për përftimin e paligjshëm të informacioneve mbi qytetarët, e dëmton edhe më tej besueshmërinë e një qeverie, e cila edhe kështu e kishte humbur besimin e popullit të saj.
Në 17 maj, dhjetëra-mijëra protestues u mblodhën në kryeqytetin maqedonas, Shkup.
Bisedimet e nxitura nga perëndimorët, një ditë më vonë, nuk arritën një kompromis mes qeverisë dhe partive opozitare, e si pasojë pushteti i qeverisë mbetet i brishtë.
Rusia po llogarit që të kalojë zgjatimin e gazsjellësit Turkish Stream nëpër Maqedoni, drejt Europës qendrore, por paqëndrueshmëria në vend rrezikon këta plane, në një kohë kur vendet e tjerë, që ndodhen përgjatë gjurmëve alternative të një projekti të tillë, nuk i mirëpresin propozimet e Rusisë.
Qeveria bullgare në pushtet, e gjendur nën trysninë e SHBA dhe BE, është kundër pjesëmarrjes në një projekt energjetik që udhëhiqet nga Rusia, ndërkohë që Shqipëria ka një orientim properëndimor të politikave të saj.
Duke qenë se steka është kaq lart, Ministria e Jashtme e Rusisë mbështeti me forcë qeverinë e Maqedonisë, në përgjigje të protestave.
Ministria kritikoi partitë opozitare dhe grupet joqeveritarë, duke i akuzuar se janë të lidhur me fuqitë perëndimore dhe se zgjedhin një ideologji kaotike “revolucionesh me ngjyrë”.
Qeveria në pushtet në Maqedoni është në favor të anëtarësimit në NATO dhe BE, por ajo ka qenë e hapur ndaj propozimeve për gazsjellësin Turkish Stream.
Një qeveri e dobët, si dhe rritje e paqëndrueshmërisë në Maqedoni, po e pengon vendin që të bëhet një aleat i vendosur i Perëndimit, ose një partner i besueshëm i Rusisë.
Një sfidë më e gjerë rajonale Përplasjet në Maqedoni risjellin hijet e ringjalljes së tensioneve etnike dhe dhunës në Ballkan, ku kufijtë politikë nuk përkojnë me kufijtë etnikë. Ndonëse dhuna e kohëve të fundit nuk do të zgjerohet edhe në vendet fqinjë në të ardhmen e afërt, problemet e Maqedonisë janë një shqetësim për rajonin. Serbia e rriti nivelin e alarmit, ndërkohë që Bullgaria dërgoi trupa në kufi.
Që nga viti 1999, qeveritë perëndimore kanë punuar për të stabilizuar Kosovën dhe zonën përreth, përmes pranisë së paqeruajtësve dhe programeve të zhvillimit. Brukseli po i bën presion edhe Serbisë, që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, si një parakusht për anëtarësimin në BE.
Një rritje e mundshme e veprimeve militante përgjatë kufirit Maqedoni-Kosovë do të rrezikonte këtë stabilitet dhe do të dëmtonte përpjekjet e Perëndimit në rajon.
Në fund, pavarësisht se sa fuqi e jashtme politike investohet në Ballkan, suksesi varet nga prania e një qeverisje të fortë e të qëndrueshme. Por qeveritë e Ballkanit janë të dobëta.
Në Bullgari, trazirat sociale në vitin 2013 detyruan qeverinë të largohet. Që atëherë, vendi ka kaluar në për disa qeveri të dobëta e jetëshkurtëra, të cilat janë rrëzuar prej mosmarrëveshjeve të brendshme.
Ndërkohë, në Bosnje Hercegovinë, paraliza politike ka penguar vënien në zbatim të reformave ekonomike dhe politike, aq të nevojshme.
Protestat kundër korrupsionit në vitin 2014 nxorën në pah paaftësinë e sistemit politik boshnjak për të adresuar problemet e vendit.
Paqëndrueshmëria e politikës në Ballkan i mundëson fuqive të huaja që të gjejnë rrugëhyrje, duke rritur influencën e tyre përmes mbështetjes financiare dhe politike për qeveritë lokale.
Por brishtësia e shteteve ballkanikë nuk i lejon ata që të anojnë vendosmërisht nga një fuqi e huaj.
Ashtu si shumë vende të tjerë në skajet e Europës, shumë prej shteteve ballkanikë janë përpjekur të arrijnë një shkallë neutraliteti.
Një strategji ekuilibruese nënkupton që qeveritë ballkanike të firmosin marrëveshje ekonomike avantazhuese, të sigurojnë paketa ndihme financiare dhe mbështetje politike nga disa fuqi të huaja.
Rivalitetet gjeopolitikë dhe mosmarrëveshjet lokale në këtë rajon kanë qenë historikisht një kombinim shpërthyes, duke shkaktuar shumë konflikte si Lufta e Parë Botërore, si dhe shumë luftëra të armatosura në Ballkan.
Sot, ka një konkurrencë me më shumë ngjyresa, teksa fuqitë perëndimore përdorin ndikimin ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, dhe mbështetjen politike për të çuar përpara objektivat e tyre në rajon.
Konflikti në Maqedoni – dhe potenciali që ai ka për të dëmtuar planet e Rusisë në rajon – mishëron problemet që fuqitë e mëdha ndeshin në Ballkan.
Ndërkohë që Perëndimi, Rusia dhe Turqia janë të gatshëm të fusin kapitale në rajon për interesat e tyre, qeveritë e dobëta do të vazhdojnë lojën e ekuilibrit mes fuqive të huaja. /FAKTINEWS/