Daljet e Ancelottit para mediave janë kthyer në rutinë tashmë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur në krah ka Ronaldon. Cdo deklaratë e portugezit mund të jetë sensacionale, prandaj edhe ai vetë përpiqet të jetë i rezervuar për të mos shkaktuar polemika.
Kështu i pyetur për situatën e Casillas, Ronaldo tha se ka një opinion të vetin por nuk dëshiron probleme dhe preferon heshtjen. Në lidhje me Bale, numri 7 i Los Blancos deklaroi se mbi uellsianin ka shumë presion për shkak të çmimit rekord të blerjes së tij nga Tottenhami, por siguroi se ai është i qetë dhe do të japë maksimumin për skuadrën. Juventusi është një nga të paktat skuadra që nuk ka pësuar gol nga Cristiano, kjo për arsye se ai nuk e ka patur asnjëherë rastin të përballet me bardhezinjtë, të cilët 10 vjet më parë ishin shumë pranë tij.
“Eshtë e vërtetë që kam qënë pranë Juves, por në fund firmosa me Manchester United. Tani jemi të fokusuar te kjo ndeshje dhe duhet të jemi të motivuar më pas për klasiken me Barcelonën. Nuk besoj se kjo javë do të jetë vendimtare për fatin e skuadrës, por gjithsesi është e rëndësishme”.
Edhe tekniku italian i madrilenëve përpiqet të karikojë në maksimum ekipin dhe nuk i jep shumë rëndësi rënies dramatike të Juventusit kundër Fiorentinës në kampionatin italian.
“Forca e Juves është organizimi që ka ndërtuar në këto dy vjet. Ky është rreziku dhe jo ndonjë lojtar në veçanti, si Vidal përshembull. Janë të rrezikshëm në kundërsulme dhe kanë Pirlon që është i jashtëzakonshëm. Kemi një javë të rëndësishme, por mendoj se Barca-Real është thjesht një ndeshje. Gjithsesi ne do të kërkojmë më të mirën e mundshme”.
Për krahasimet që bëhen shpesh mes Ronaldos e Bale, Ancelotti tha se ky nuk është një debat brenda Realit dhe bën mirë të qëndrojë jashtë klubit, të dy janë lojtarë shumë të mirë dhe nuk ka asnjë problem nëse luajnë bashkë. Një pyetje ndërkohë edhe për paraardhësin e tij. Italiani pohoi se nuk flet prej kohësh, por i quajti të mira marrëdhëniet me Mourinhon. Duke e përfunduar me fokusin te takimi i Championsit me Juven, Ancelotti deklaroi se ka besim se skuadra mund të përsërisë lojën e mirë që bëri ndaj Malagas, me të njëjtin intensitet dhe qartësi në fushë.