Lajmet e fundit

Apeli e kthen në punë Naim Halitin, rektorati neglizhon

Gati dy vjet më parë Naim Haliti ishte shkarkuar nga pozita e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, me vendim të ish-rektorit Ibrahim Gashi.

Por, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë vendimin e ish-rektorit Gashi si të pabazë dhe të nxjerrë në kundërshtim me statutin e Universitetit të Prishtinës. Edhe pse ka kaluar afati ligjor, për kthimin e Halitit në detyrën e Dekanit, Rektorati ende nuk e ka kthyer atë.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, që e ka siguruar Radio Kosova, thuhet se “Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, obligohet që paditësin Naim Haliti, ta kthejë në detyrat e punës së dekanit në Fakultetin e Mjekësisë, më të gjitha të drejtat sipas bazës së punës, duke filluar nga shkarkimi i tij, përkatësisht nga data 18 dhjetor 2013, e deri të skadimi i mandatit më 1 tetor 2016, në afat prej shtatë ditësh nga pranimi i këtij vendimi nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm”.

Por, pavarësisht këtij afati të dhënë nga Gjykata e Apelit, Universiteti i Prishtinës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që Haliti të rikthehet në detyrën e tij. Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Rektorati përmes telefonit dhe adresës elektronike lidhur me ekzekutimin e këtij vendimi, por nuk kanë pranuar të flasin.

Edhe pse ka kaluar afati ligjor prej shtatë ditësh i vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili Naim Halitin e kthen në pozitën e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, ende nuk është ndërmarrë asgjë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës, Haliti ishte shkarkuar jashtëligjshëm nga ish rektori Gashi.

Në anën tjetër, Radio Kosova, ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Naim Haliti, por as ai nuk është përgjigjur. Ai vazhdimisht pati thënë që vendimi për shkarkim nga pozita e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, i nxjerrë nga ish-rektori Ibrahim Gashi, është bërë jashtëligjshëm.

Gjithashtu, edhe dekani aktual Sali Ahmeti, nuk i është përgjigjur telefonatës së Radio Kosovës. Megjithëse, Rektorati është punëdhënësi i tij dhe për vendimin e Gjykatës, duhet ta njoftojë atë për veprimet e mëtejshme.

Përveç Gjykatës së Apelit, Halitit i kishte dhënë të drejtë edhe ajo Themelore. Qysh në vitin 2012 RTK kishte raportuar disa herë se në Fakultetin e Mjekësisë dyshohej për regjistrime të studentëve pa kritere, falsifikim notash, por edhe shitje notash nga profesorët.

Pikërisht për këtë, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë kishte zhvilluar hetime, ku dosjet e 170 studentëve të këtij Fakulteti kishin përfunduar në Polici, e që më pas kishte edhe arrestime.

Tani pritet që vendimi i Gjykatës të zbatohet nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, për të kthyer Naim Halitin në pozitën e dekanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.