TI LOJTAR I KOMBIT
Kur të zbresësh në fushën e gjelbër, dije që krejt qa duhet të bësh është të luash futboll. Jepe maksimumin tendë, jo për shkak të kundërshtarit, por për faktin se ti je profesionist dhe ashtu vepron në çdo lojë. Dije se Serbia është si çdo kundërshtarë tjetër sportiv dhe ajo çka është e rëndësishme për ty, janë tri pikët. Çlirohu nga ndjenjat edhe emocionet kombëtare. Ato janë për ne tifozët në tribuna. Ti bane punën si di më se miri.
Ta kesh të qartë se është lojë futbolli, jo luftë. Bilancet tona historike me Serbinë as nuk ndreqen e as nuk prishen më shumë se kaq, me një lojë futbolli. Edhe nëse 100 herë e mposhtim ekipin kombëtarë të tyre, me rezultat” 8: me 2”, prapë nuk “mund t’ia nxjerrim hakun” për të këqija që ia ka bërë këtij vendi, me shekuj. Në të kundërtën, nëse e humbni përballë tyre, e keni humbur një ndeshje dhe asgjë më shumë. Ndeshje e cila nuk e ka baraspeshën, e as betejës më të vogël dhe më të pa rëndësishëm, që kemi bërë, me pushtuesit serb gjatë historisë. Nuk do koritemi e as nuk do të poshtërohemi, jo. Pra nuk e humbim fytyrën por pikët. Ndaj lufto për tre pikë dhe jo për fytyrë.
Ti je djalë i përzgjedhur në mesin e qindra mijëra tjerëve që ka kombi. Je i përzgjedhur për shkathtësitë tua në futboll, jo për gjera tjera. Ti do jesh heroi i im vetëm për lojën e bukur, mundin, sakrificën dhe përkushtimin tënd në ndeshje. Edhe për kulturën dhe edukatën gjithashtu. Dije se jashtë kësaj, nuk do të çmoj për asnjë send. Ruaju nga provokimet, mbajë nën kontroll ndjenjat dhe emocionet. E di se nuk është lehtë, por ti mundesh. Prandaj je i përzgjedhur.
Krejt çka është jashtë fushe, nuk e sheh – dëgjon , krejt çka nuk ka të bëjë me futbollin, nuk të intereson. Mbaje në fokus vetëm portën tonë dhe të ekipit tjetër. Njërën për ta mbrojtur, tjetrën për ta qëlluar. Me top futbolli natyrisht.
Për të tjerët, mund të jetë ndeshje e vitit, e dekadës, e shekullit, ndërsa për ty vetëm ndeshje e radhës. E cila varësisht nga rezultati, do shndërrohet në fitoren e radhës, ose humbjen e radhës.
Ti je ai që e ke në dorë (këmbë).
Nuk ka diçka më të ëmbël se fitorja. Nuk ka gjë me të keqe se humbja. Më e pak e keqe se humbja është vetëm BARAZIMI.
(Autori është Zyrtar për Informim në Gjykatën e Apelit, qëndrimet në këtë artikull janë personale.)