Lajmet e fundit

Ardian Gjini: Amoralja dhe Imoralja

Dallimi në mes amoralitetit dhe imoralitetit është interesant, spjeguar në mënyrë precize.

Amoral është veprimi i një individi ose i një grupi që nuk pajtohet me moralin e vendosur. Ata mendojnë se morali i pranuar, në një moment në kohë, nuk është i pranueshëm dhe duhet të vendoset një moral i ri.  Ata njerëz tentojnë t’i shtyjnë kufinjt e asaj që quhet e moralshme, ‘përpara ose prapa’. Amoralitet ka qenë për shembull insistimi i vajzave dhe grave për të veshur funda përmbi gjunj. Edhepse pjesa më e madhe e shoqërisë e ka konsideruar si të pamoralshme, vajzat avangardë nuk janë pajtuar. Ato kanë konsideruar se ai moral i vendosur është fals dhe i padrejtë dhe kanë kërkuar vendosjen e një morali tjetër. Dhe kanë fituar, me të drejtë.

Ndërsa imoral, është veprimi i një individi ose i një grupi njerëzish, të cilët nuk e kontestojnë moralin e vendosur si koncept por me vetëdije sillen kundër atij kodi moral. Rastet tipike të kohës sonë janë për shembull politikanët që kanë vjedhur vota e flasin për demokraci; ose ata që kanë zhvatur përmes tenderëve dhe privatizimit e flasin për luftë kundër korrupsionit apo për sundim të ligjit.

Nëse nisemi nga këto përkufizime deri diku filozofike të termave, atëherë analistët e pavarur mund të konkludojnë se veprimet e opozitës janë amorale. Por në ç’mënyrë dhe në ç’ kontekst?

Ata mund të thonë se institucionet i kemi krijuar me mund dhe ato nuk bën të gjuhen me gurë, nuk bën të digjet prona publike, etj. Ata edhe mund të thonë se në pushtet arrihet vetëm përmes votave e jo përmes rrugës.  Këto ‘këshilla’ nëse shihen nga një këndvështrim tjetër nënkuptojnë se opozita duhet të durojë zhvatje, korrupsion, varfëri, marrëveshje të dëmshme e çkado tjetër sepse nuk bën të hidhen gurë në institucione. E cinizmi është edhe më i madh kur vet ata konkludojnë se në Kosovë vidhen dhe blehen votat. Që në fakt do të thotë mos bëni asgjë. Sepse nuk mund të bëni asgjë.

Opozita në anën tjetër po thotë, ky moral është i rrejshëm. Në Kosovë nuk arrihet deri tek pushteti përmes zgjedhjeve. Në Kosovë arrihet në pushtet ose përmes zarfit ose përmes vjedhjes e blerjes së votave. Dhe këto mjete të punës i ka në dorë ekskluzivisht pushteti. Opozita provoi ta ndryshonte pushtetin vitin e kaluar por partia që kishte premtuar se ishte e vetmja që mund ta ndryshonte atë pushtet dhe e cila i mori votat popullore mu me atë prenmtim, prapë u bë pjesë e pushtetit të njejtë. Dhe kjo është arsyeja kryesore e moslegjitimitetit të këtij pushteti.

Shumë analistë të cilët po provojnë ta mbrojnë ‘moralin’ e vendosur në kohën e Serbisë, sipas të cilit edhe nëse diçka është keq, nuk duhet të reagojmë, sepse ‘po i rrënojmë institucionet e ngritura me mund”, e kanë shumë gabim.

Institucionet nuk rrënohen me gurë, as me gaz lotësjellës. Institucionet rrënohen me punësimin e njerëzve të padijshëm nëpër to. Me punësimin e njerëzve të korruptuar dhe që i shërbejnë parapolitikës. Dëmi që i bëhet buxhetit dhe të ardhmes së vendit me thyerjen e një xhami është një milion herë më i vogël se një tender mesatar. Ndërsa dëmi që i bëhet të ardhmes së vendit me zaptimin e universitetit dhe me falsifikimin e dijes është qindra miliona herë më i madh se sa djegja e një veture zyrtare. Imoraliteti i pushtetit po e rrënon shtetin dhe institucionet e jo ‘amoraliteti’ i opozitës.

Opozita po e sfidon këtë moral. Moralin se institucionet i kemi krijuar me mund dhe se duhet ta durojmë vjedhjen e votave, vjedhjen e buxhetit dhe vjedhjen e të ardhmes së vendit për t’i ruajtur xhamat, muret dhe veturat; për t’u dukur mirë para bashkësisë ndërkombëtare.

Opozita po sfidon moralin e heshtjes dhe konformizmit jo pse ajo vet është e pamoralshme, por sepse po e sheh si të vetmen mënyrë për t’iu kundërvënë imoralitetit të pushtetit, që po vazhdon për një kohë të gjatë dhe me mbështetje nga më të pabesueshmet.

Kur konkludojmë diçka, zakonisht nisemi nga një premisë në të cilën ne besojmë. Herë e themi në mënyrë eksplicite e herë besojmë se nënkuptohet. Kur e dëgjoj cilindo nga kolegët e mi të thotë se ‘në asnjë demokraci normale nuk bëhet kështu ose nuk bëhet ashtu, thjesht po pyetem, për çfarë morali po flisni? Për çfarë demokracie po flisni? Ky moral është i rrejshëm dhe dikush po e sfidon.

(Autori është nënkryetar i parë i AAK-së dhe kryetar i Degës së AAK-së në Gjakovë)

Leave a Reply

Your email address will not be published.