Nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Isa Mustafa, i cili sot i ka kritikuar ministrat e tij, kinse po udhëtojnë shumë jashte shtetit. Gjini në një shënim në Facebook ka theksuar se kjo që e ka thënë kryeministri, është hipokrizi.
Reagimi i plotë i Gjinit:
Qortimi publik i Kryeministrit për ministrat është banalitet.
Së pari, ministrat nuk janë as vullnetarë as nxënës të shefit të tyre. Ata janë të zgjedhur dhe të emëruar nga Ai vet.
Së dyti, ata nuk punojnë si të pavarur. Ata punojnë nën komandën e Kryeministrit. T’i lejosh të bëjnë cka të duan e t’i qortosh publikisht në fund të vitit është hipokrizi.
Së treti, është hipokrizi edhe më e madhe kur kryeministri të provojë të tregojë para kamerave se është më i mirë se ministrat e vet dhe t’i qortojë publikisht, duke qenë plotësisht i pafuqishëm që të ndërmarrë masa konkrete të cilitdolloj.
Për fund, nuk po i vie era fare qeveri e një shteti, kur kryeministri e ka vetëm një mjet pune; qortimin para kamerave të të zgjedhurve të vet. E nuk mund t’iu thotë asnjë fjalë drejtpërdrejtë.