Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci ka thënë se gjendja shëndetësore e klientit të tij është shumë e rëndë.
“Jeta e tij është në rrezik çdo moment. Sot është dita e gjashtë e grevës së urisë dhe ende gjyqtari nuk ka mirëkuptim për kërkesat e ligjshme të tij”, ka thënë ai pas vizitës që i ka bërë klientit.
Koci është shprehur se, sipas mjekëve, Lushtakut i duhet 24 orë mbikëqyrje mjekësore specialistike gjë që ai nuk e ka në burg.
“Aty ka mjekë të përgjithshëm vetëm deri në orën 16:00, dhe pastaj mjeku është në thirrje. Mënyra se si Lushtakut i është ndërprerë trajtimi mjekësor nga ana e kryetarit të trupit gjykues, përkundër kundërshtimeve të mjekëve specialistë, është i paprecedent dhe në kundërshtim me çdo normë ligjore, etike dhe humane”, ka thënë Koci për Klan Kosovën.
Ai është shprehur se me këto vendime po rrezikohet siguria juridike e të gjithë qytetarëve të Kosovës.