Lajmet e fundit

Arianit Koci thotë se Ramush Haradinaj ësht proamerikan…

Ramush, je proamerikan. E di prej bisedave private, prandaj bisedo me pozitën dhe gjeje formën që t’ia kthesh besimin qytetarëve të Kosovës që ia vlen të jetohet në Kosovë.

Jemi populli më proamerikan në Evropë. Padyshim. Por, kjo nuk mjafton. Duhet edhe ta përcjellim frymën politike dhe këshillat që na i japin ata.

Vetëm ta kujtojmë si kemi jetuar deri sa nuk ra tomahawk-i i parë, më 24 mars 1999.

Çka mendoni kush është iniciues i sulmeve ndaj Serbisë? Evropa? Jo. mendoni që do të fitonim aq lehtë pa ndihmën e amerikanëve dhe të tjerëve?

Jo.

Zemërgjerësia dhe ndjenja e amerikanëve për drejtësinë, na ka sjellë lirinë. Pa asnjë dilemë.

Kosova është projekt amerikan dhe këtu nuk ka dilemë.

Jemi ku jemi, mu duke iu falënderuar atyre. Prandaj duhet të besojmë në ata.

Krejt jeta është besim. Besim në Zot. Besim në liri. Besim në kauzë. Mu ky besim e ka bindur Amerikën që e meritojmë lirinë. I njëjti besim që i ka udhëhequr heronjtë tanë të luftës së fundit: Ademin, Shkëlzenin, Zahirin, Fehminë, Luanin e shumë të tjerë.

Evropa na ka ndihmuar, por në momente kyçe, është dashur të përfshihet Amerika.

Ta kujtojmë faktin që Kosova, me 1.8 milion banorë, shumë lehtë ka mundur që me pavarësinë ta ketë liberalizimin e vizave. Liberalizim që kanë krejt fqinjët tanë shumë më herët.

Dhe mu izolimi i ynë, padyshim, ka sjellë ekstremizmat e të gjitha llojeve. Duke filluar prej terroristëve, Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi e deri të humbja e shpresës për një jetë normale për shumë nga ne.

Të gjithë e kemi kuptuar që izolimi për ne do të thotë zhytje në ekstremizëm. Dhe indicijet e para për paraqitjen e ideologjisë ekstremiste në Kosovë, të kombinuara me prapambeturinë dhe gjendjen e rëndë ekonomike, mund të krijojnë një situatë eksplozive në Kosovë. Energjia e rinisë Kosovare, nëse nuk kanalizohet si duhet, bëhet objekt i eksperimenteve të ndryshme dhe vend i përshtatshëm për përhapjen e ideologjisë radikale.

Zhvillimet e fundit politike – sjellja joparlametare në parlament, e ka bllokuar në tërësi funksionimin normal të shtetit – sado që kërkesat janë të drejta dhe legjitime. Sidoqoftë, anash lënë Zajadnicën dhe Demarkacionin, për të cilat edhe unë mendoj që duhet negociuar, kërkesa e një deputeti – Kryetar i një partie opozitare, për Shqipërinë e Madhe, me datën 28 nëntor, është argument i fuqishëm serbëve që të vazhdojnë me kërkesa për Zajednicën. Pse ata ta duan këtë Kosovë, kur vet ne nuk e duam? Pse, prej perspektivës së tyre, ata të mos kërkojnë bashkimin me Serbinë, kur ne kërkojmë bashkimin me Shqipërinë?

Kjo tiradë e cila na bën Kosovën shtet karikaturë, duhet të ndërpritet. Nuk ka rëndësi se kush ka faj. Në fakt, ti edhe mund të kesh të drejtë. Por kjo tani më nuk është çështja primare.

Ramush, je proamerikan. E di prej bisedave private. Je prej njerëzve me besnik dhe trim që e kam takuar ndonjëherë.

Prandaj, gjeje fuqinë me kuvendu. Nuk ka ndonjë problem edhe nëse ti i afrohesh pozitës. E dimë sakrificën tënde. I dimë heroizmat e tuaja. E dimë besnikërinë tënde.

Gjithmonë në histori, dikujt më shumë i bie ta bartë  barrën e shoqërisë. Ti e ke atë fat – i keq apo i mirë.

Bëhu motor i shoqërisë  dhe mos na mbyt shpresën. Zajednica dhe Demarkacioni shkojnë paralelisht me partneritetin me amerikanët. Sigurt që të gjithë jemi të përcaktuar që asnjë pëllëmbe te tokës sonë të mos e japim. E këtë përcaktim e kanë edhe partnerët tanë. Kemi shumë prova dhe argumente për këtë. Lëvizjet më të mëdha gjeopolitike tani, pas Luftës së Dytë Botërore, në mes të Amerikës dhe Rusisë, nuk guxojnë dhe nuk munden të na zhvendosin prej rrugës sonë në drejtim të botës demokratike.

Prej bombardimeve të NATO-s, nuk kemi qenë në situatë më kritike.

Prandaj, dëgjoji këshillat e Sekretarit të Shtetit  të SHBA-ve, z. John Kerry. Deklarimi i tij se: ” Së bashku, ne kemi investuar shumë për ardhmërinë e Kosovës dhe nuk do ta rrezikojmë atë”, janë garanca të fuqishme për neve. Kjo fjali ka të bëje me besimin, përcaktimin dhe vendosmërinë që aq shumë i ke.

Bisedo me pozitën dhe gjeje formën që t’ia kthesh besimin qytetarëve të Kosovës që ia vlen të jetohet në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.