Kryetari lexhendar i Partisë së Fortë tha se synon formimin e Asociacionit të Komunave të Prishtinës, ndërsa u shpreh i lumtur që ka parë të ndodhin mbindërtime të reja në lagjen e Ulpianës.
“Mbindërtimet i japin karakter Prishtinës. Prandaj, kemi thënë se çdo ndërtim që aplikon për leje, duhet të paraparë edhe pjesën për mbindërtim”, përsëriti ai planet e tij për Komunën e Prishtinës. Arifaj ka deklaruar më parë se në çdo lagje të Prishtinës do të hapë universitete, dhe se në secilin prej tyre do ta vendosin nga një rektor që ka të publikuara studime në Indi. Por, ende nuk është përcaktuar për emrat e universiteteve.
“E kemi diskutuar këtë disa herë brenda partisë dhe grupit të ekspertëve, por ende nuk kemi arritur të vijmë në konkluzion për emrat e universiteteve. Emrat shkojnë sipas nderit. Duhet ta nderosh një palë, e një palë, varësisht se kush na ndihmon më shumë. Sipas disa analizave, vetëm familjet Gashi, Berisha dhe Krasniqi përbëjnë 24.000 votues potencialë. Ndaj, është e natyrshme që emërtimet të jenë prej këtyre familjeve. Por, mbase edhe do t’i qesim në ankand emrat e universiteteve”, ka thënë ai.
Personalisht ai, për shkak të angazhimeve thotë se nuk ka pasur kohë për t’i përcjellë fushatat e kundërkandidatëve, por shton se organet informuese të Partisë nuk lënë gjë për t’i ikur atij. “Jam shumë i kënaqur me kundëkandidatët, me atë që kam parë deri sot dhe uroj të shkojë gjithmonë kështu”, thotë lideri i Partisë së Fortë.
I pyetur se cili shërbim sekret e ka formuar Partinë e Fortë, ai thotë: “Ne i kemi shërbimet tona sekrete, kështu që është absurde që shërbimi jonë sekret të na formojë, se kjo i bie: a para pula, apo veza!? Me partinë është formuar shërbimi sekret, por njerëzit nuk duhet ta dinë këtë, kështu që nuk po e konfirmoj ekzistencën e saj detyrimisht sonte. Duhet ta dini se është Partia, dhe shërbimi informativ, kështu që si rrjedhojë kanë dalin partitë tjera. Jemi ombrellë e partive tjera, prandaj kemi lidhje të mira me të gjithë e kjo është dëshmi se do t’i realizojmë premtimet tona”