Nuk është aspak e jashtëzakonshme që t’i shihni disa pako me dokumente, të vendosura shkallëve të ndonjë objekti. Por, kjo ndodh brenda një prej degëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Një shikues i KTV-së ka dërguar një video, ku tregon se sa lehtë ka mbërritur në arkivin e Divizionit për Kundërvajtje, që funksionon në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm të kësaj gjykate.
Ai ka shkruar se ka kërkuar të shohë një aktvendim dhe që duke pyetur persona të ndryshëm, ka mbërritur te arkivi.
Por, disa ditë më vonë, në objektin ku ndodhen institucione si KQZ-ja e PZAP-i, ka qëndruar edhe KTV-ja, pasi është konfirmuar se aty ndodhet Divizioni i Kundërvajtjeve.
Në fakt, as që është dashur të pyesësh se ku është arkivi ose t’i tregosh ndokujt se cili është qëllimi i vizitës.
Në këtë objekt, dikur ishte e vendosur edhe Prokuroria e Shtetit, por zëdhënësi i kësaj të fundit i ka thënë KTV-së se të gjitha lëndët, përfshirë ato të arkivit, janë bartur me rastin e funksionalizimit të Pallatit të Drejtësisë.