Policia e Dibrës gjatë një operacion kontrolli, ka vënë në pranga 4 persona dhe ka sekuestruar 11 kg marihuanë dhe disa armë zjarri. Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga komisariati lokal i policisë, gjatë operacionit, të koduar me emrin “Vjeshtë në Lurë”, janë arrestuar Arjan Vladi, Ramazan Leka dhe Drilon e Mehmet Kaca.
Të 4 personat ishin mbledhur në banesën e Arjan Vladi, ku dhe janë gjetur dy thasë me 11 kg marihuanë dhe disa qese me 30 gramë farë kanabisi. Gjithashtu, gjatë bastisjes është gjetur edhe një armë zjarri model 56, të cilën i zoti i shtëpisë e mbante pa leje.
Kontrollet, vijon njoftimi për shtyp, u zhvendosën edhe në banesat e të arrestuarve të tjerë, në një prej të cilave u gjet një tjetër armë model 56, e pajisur me një krëhër me 30 fishekë.
Krerët e policisë lokale kanë nisur tashmë koordinimin me prokurorinë e rrethit, për procedimin e 4 shtetasve nën akuzat e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.