Lajmet e fundit

Artikulli te “The Economist”, qeveria: Paguam 36 mln lekë për promovimin e vendit

Qeveria i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me publikimin e artikullit për Shqipërinë tek revista “The Economist”. Sipas zyrës së shtypit të qeverisë, ndodh vetëm në Shqipëri që një parti opozitare të akuzojë qeverinë përse promovon vendin dhe kërkon të nxisë investimet e huaja.

“Revista “The Economist” është një nga revistat më prestigjioze në rang botëror, që lexohet nga investitorë dhe vendimmarrës të rëndësishëm. Në numrin special të kësaj reviste që do të shpërndahet në Samitin e Davosit, promovimi i Shqipërisë është një mundësi e shkëlqyer për të tërhequr investime të huaja, të rëndësishme në Shqipëri, që krijojnë më shumë vende të reja pune, nxisin turizmin dhe prodhimin vendas.

Qeveria shqiptare, duke e parë reportazhin në “The Economist” si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar vendin tonë, njësoj siç kane vepruar edhe qeveritë e vendeve të tjera si Maqedonia, Kroacia, Turqia apo Serbia, ka nënshkruar një kontrate prej 36 milionë lekësh për të publikuar një reportazh të zgjeruar mbi Shqipërinë. “The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lejueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund të publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj.

Fatmirësisht, kjo qeveri, ndryshe nga qeveria e kaluar, nuk shpenzon miliona dollarë para publike as për të transmetuar reklama qeveritare, as për të paguar lobiste që kërkesë të vetme nga qeveria kishin përhapjen anembanë botës së baltës së shpifjeve të ish-kryeministrit ndaj opozitës së vendit. Partia Demokratike vazhdon të sillet si qeveria e vjetër, me  gjuhen urrejtjes, shpifjet dhe baltosjen primitive që nxjerr në pah çdo dite mungesën e lidershipit, të programit e të ideve për Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.