Koalicioni PDK-LDK në njërën anë dhe partitë opozitare në anën tjetër, po vazhdojnë të mos tërhiqen nga qëndrimet e tyre.
Pozita thotë, se për të dalë nga kriza, zgjidhja vie vetëm duke biseduar mes vete palët partiake, kurse Opozita mendon se tërheqja e nënshkrimit nga marrëveshjet, ose referendumi, si opsion i dytë, mund ta sjellë zgjidhjen e duhur.
Deputeti i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë për GB, se për të ardhur deri te një zgjidhje e përbashkët, partitë politike duhet të ulen e të bisedojnë. Mirëpo, sipas tij, fillimisht duhet pritur përgjigja e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe.
“ Ne duhet ta presim një përgjigje së pari nga Gjykata Kushtetuese. Sa do që Gjykata mund të jetë e ndikuar politikisht, megjithatë ne formalisht duhet ta presim mendimin e saj. Varësisht nga mendimi i Kushtetueses, do të veprojmë më tutje. Edhe unë mendoj se në çështjen e Asociacionit, ka çështje problematike.
Ky asociacion ndryshon rrënjësisht nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje tjetër, mendoj se çështja duhet të vijë në Kuvend për t’u vendosur. Sa iu përket seancave,mendoj se duhet të ulen partitë politike, të gjitha së bashku dhe të pajtohen se Kuvendi duhet të funksionojë. Kurse, lidhur me këto dy marrëveshje, duhet të arrihet një lloj kompromisi. Mënyra si po bllokohet Kuvendi është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese”, ka thënë ai.
Salihaj ka folur edhe rreth asaj që Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të pranonte të bënte negociata me Isa Mustafën e Hashim Thaçin.
Sipas tij, ato çfarë tha Haradinaj, janë vetëm “kërkesa ultimative”, e jo negociata.
“”Kompromisi” sipas Ramush Haradinajt ishte që të zhvillohen negociata se si do të anulohen këto marrëveshje. Këto në esencë nuk janë negociata, janë kërkesa ultimative”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.
Për dallim nga Salihaj, Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza, arrihet vetëm nëse ndiqet njëri nga dy opsionet që ka përmendur opozita më parë.
“Zgjidhja e problemit që është krijuar nga Qeveria, me marrvëshje tepër të dëmshme, përfshin dy drejtime, tërheqja e nënshkrimit ose referendumi, ku qytetari sovran, vendos për fatin e Kosovës dhe për këtë çështje”, ka thënë Berisha për Gazetën Blic.
Opozita ka bllokuar disa herë seancën e Kuvendit, me kërkesën që të tërhiqet nënshkrimi nga marrëveshjet e Brukselit, ose edhe të dorëhiqet vetë Kryeministri Mustafa. Kurse, Kryeministri ka paralajmëruar se marrëveshjet në fjalë, nuk ka mundësi të zhbëhen.
Si rezultat i këtyre, kriza politike po vazhdon qe disa javë radhazi.