Viti 2015 ka qenë kryesisht vit me mbulueshmëri më të mirë me barna në Kosovë, krahasuar me vitet paraprake.
Kështu thonë zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, sipas të cilëve mbi 80 për qind të listave me barna esenciale janë mbuluar.
Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë thotë se mbi 75 për qind është mbuluar me barna niveli terciar, derisa mbi 90 për qind ka qenë mbulimi me citostatikë, barna këto që shërbëejnë për trajtimin e personave me kancer.
“Sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale, është mbuluar mbi 80 për qind, derisa citostatikët mbi 90 për qind, e që ka qenë përqindje më e madhe se vitet paraprake. Në përgjithësi ka qenë një furnizim i mirë”, tha Sadiku.
Për vitin 2015, buxheti për barnat në Kosovë është rritur për 14.5 milionë euro më shumë, duke e ngritur buxhetin përafërsisht në 35.5 milionë euro. Në vitin 2014, buxheti për barna kishte qenë rreth 21 milionë euro.
Me gjithë këtë, mungesa e barnave nga lista esenciale në institucionet publike shëndetësore, vazhdon të jetë e pranishme.
Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka thënë se është vërejtur përmirësim në furnizim me barna, derisa materiali shpenzues ka munguar.
“Me citostatikë dhe disa barna esenciale ka pasur mbulueshmëri të mirë gjatë këtij viti. Por, ka pasur edhe mungesë barnash. Materiali shpenzues ka munguar edhe këtë vit, por, marrë në përgjithësi ka pasur një mbulueshmëri më të mirë gjatë gjatë vitit 2015”, tha Syla.
Sidoqoftë Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se në sektorin që udhëheq ai, gjatë vitit 2015 është vërejtur përmirësim sa i përket furnizimit me barna esenciale, por që mungesa të kohë pas kohshme të barnave ende ka.
“Klinikës Emergjente nuk i ka ndodhur asnjëherë të ketë mungesa të produktit të parë jetë-shpëtues, derisa mungesë të barnave që nuk paraqesin rrezik për jetën, normalisht që ka, por që nuk ia rrezikon jetën të sëmurit, helmuarit apo të lënduarit. Klinika emergjente bën planifikimin për barna dhe kërkesat tona janë të vazhdueshme që kjo klinikë duhet jetë prioritet i shtetit”, thotë Lenjani.
Zyrtarët shëndetësorë kanë deklaruar disa herë se furnizimi me barna, ndërlidhet ngushtë edhe procedurat e prokurimit, që sipas tyre nuk u përshtaten specifikave të procesit, gjë e cila shpeshherë shkakton edhe vonesa në furnizim.
Sidoqoftë, institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur asnjëherë ta përmbushin listën esenciale me barna 100 për qind, për shkak të buxhetit të ulët që ka pasur prej vitesh Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna./REL/