Komisioni për Arsim ka shqyrtuar projektligji për Akademinë e Shkencave të Kosovës duke thënë se të gjithë aktorët kompetent kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij projektligji.
Me këtë projektligj komisioni ka vendosur që ky institucion të raportojë një herë në vit në Kuvend.
Nait Hasani, kryetar i këtij Komisioni tha se buxheti për këtë institucion është caktuar të jetë 2 milionë euro.
Ai tha se ASHAK do të duhej të deklarohej për çështjet politike në vend dhe për krizën politike, gjë e cila siç tha Hasani nuk është pranuar nga udhëheqësit e këtij institucioni me arsyetimin se ata nuk merren me politika ditore.
Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Sali Morina, tha se ka pasur disa ndryshime në projektligj, si tek mosha e pranuar për të pasur pozita udhëheqëse, që ishte caktuar të jetë 75 ndërsa tani u kërkua të jetë 70.
Morina, pati një tjetër vërejtje që ka të bëjë me raportimin financiar që ASHAK, që u kërkua të bëhet në Kuvend.
Përkundër këtyre pakënaqësive të deputetit Morina, komisioni vendoi që ta dërgoj në kryesi për lexim të dytë projektligjin për Akademinë e që më pastaj të diskutohet dhe të vendoset më tutje në njërën nga seancat e Kuvendit.
Ndërsa deputeti Bekim Haxhiu nga PDK, theksoi nevojën që ka ky institucion të rinohet dhe të bëjë punë më efikase.