Nën masa të rrepta sigurie mbërriti në Drejtorinë e Policisë Shkodër, 31 vjeçari Aleksandër Dushaj, autor i vrasjes së dy vëllezërve Shkami.
Nga dhomat e paraburgimit të komisariatit verior, ai është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes, lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në 2 janar në fshatin Drisht të Postribës.
Asnjë pendesë nuk ka shfaqur Dushaj për krimin e kryer, duke ripërsëritur se nëse do të kishte mundësi do të kishte vrarë edhe vëllain e tretë të familjes Shkami, me të cilën kërkonte të lidhte krushqi prej 2 vitesh.
Sipas burimeve policore të Shkodrës, Dushaj përveç konfliktit me vellezërit Shkami dhe momentin e ekzekutimit të tyre, po pyetet edhe mbi personat që e kanë ndihmuar në arratinë 48 orëshe.
Ai ka deklaruar se menjëherë pas krimit është larguar në mal dhe momentet e para të operacionit të policisë i ka parë, por ka arritur t’i fshihet mjaft mirë duke njohur zonën.
Rreth orëve të pasdrekës së 2 janarit, ai ka lëvizur në këmbë deri në zonën e Lezhës përmes d isa fshatrave të Nënshkodrës, i favorizuar edhe nga mospublikimi i fotografisë nga policia, ç’ka ka bërë që ai të mos ishte i identifikuar nga banorët.
Nga Lezha ai është marrë me makinë nga personat që e kanë ndihmuar në arrati deri në zonën e Kamzës, ku është strehuar deri në mbrëmjen e 4 janarit, kur vendosi të dorëzohej në polici pasi kishte arritur të negocionte për sigurinë e jetës.
Tashmë pritet që i riu, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese të më shumë se një personi, të dalë përpara trupës gjykuese në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër, ku edhe do të njihet me masën e sigurisë.