Kurrë nuk kam pasur guximin e duhur të shkruaj gjerë e gjatë rrëfimin tronditës për jetën time. Por, duke parë se midis nesh ka edhe shumë bashkëmoshatare të mia që kanë të njëjtin hall si unë, vendosa të përshkruaj gjithë storien makabër të jetës sime, e cila dallon prej të tjerave.
Askujt nuk kam guxuar t’ia hap gjithë plagën e zemrës sime, por këtë herë po përpiqem që me lot mbi këtë letër të gdhend pikë më pikë vuajtjen time femërore. Nuk jam aq e penduar pse kam kaluar në zymtësi vitet më të bukura të jetës, sa ndihem e penduar pse me aq vetëdije të plotë dhe vetëdëshirë pranova të shkoja në shtrat që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçe me një djalë njëzet e shtatë vjeç, i cili më bëri për vete pas një darke të mrekullueshme në restorant. Sot e urrej atë të parin, si vdekjen, por gjithashtu edhe veten time fatprerë, e cila iu dorëzua një tjetri, me profesion gazetar, i cili hyri dhe doli nga deriçka e jetës sime me anë të seksit dhe dashurisë sonë të fshehtë.
E dua edhe sot dhe nuk do ta harroj përjetë…
Gjithë katrahura e jetës sime fillon që në bankat e shkollës së mesme, kur isha në vitin e dytë të mjekësisë. Për të parën herë po më linte përshtypje trupi i im gjithnjë e më tepër i zhvilluar dhe posaçërisht njëfarë bukurie, me të cilën dalloja nga vajzat e tjera. Isha një biondinë shtatgjatë dhe e disponuar për të qenë me buzë në gaz edhe atëherë kur merrja notë të pakënaqur nga profesorët. Isha në një kohë kur preokupim imi kryesor ishte suksesi në mësime, meqë planifikoja të vazhdoja më tutje si dentiste në një të ardhme të afërt. Por, jo gjithmonë shkojnë gjërat ashtu siç parashikohen, sepse unë vetë i mbylla rrugët e fatit tim në oborrin e shtëpisë sime. Ndoshta isha ndër vajzat e para të moshës sime në shkollën tonë që po prekja dashurinë me duar, në kohën kur ethet e saj po më drithëronin të tërën. Isha e re dhe nuk kisha përkrahjen prej askujt. Nuk merrja guximin e duhur që për hallin tim t’i rrëfehesha ndonjë shoqeje, ose motrës sime, tek të cilat nuk gjeja ngrohtësinë dhe as mbështetjen e nevojshme shpirtërore. Kisha bërë mendjen top se për gjithçka që kishte të bënte me mua, o për të mirë ose për të keq, të isha unë ajo që duhej të vendosja dhe çdo gjë ta mbaja fshehur nga të tjerët. Shumë shpejt u ballafaqova me sfidën e parë të jetës sime: një djalë, ndër më të bukurit që ishte parë ndonjëherë rreth e rrotull shkollës sonë, tashmë po bënte të gjitha përpjekjet që të kontaktonte me mua. Më përcillte kah do që të shkoja, me këdo që flisja ose përshëndetesha, por unë nuk ia veja veshin komplimenteve të tij të pareshtura. Nuk preferoja që të dashuroja aq herët, kështu që më tendosnin nervat sidomos disa nga shoqet e mia, të cilat më nxitnin që të afrohesha me atë djalë.
“A je e çmendur… a po e sheh çfarë djali oj qyqja e natës dhe ti po e refuzon!”, më thoshin ato derisa tipi mundohej t’më bindte se më donte jashtëzakonisht.
Të gjitha vajzat e shkollës e thërrisnin në emrin e aktorit Riçard Giri, sepse, në të vërtetë, i ngjasonte deri diku atij. Nuk e dija se çdo të thoshte të të dashuronte dikush, por unë vazhdoja me atë mënyrën time mospërfillëse ndaj tij.
Me të paren i shkova në shtrat!
Një mbrëmje muzikore, të organizuar për nder të ditëlindjes së një shoqeje në kafiterinë “Doni”, ishte i pranishëm edhe ai. Kur lëshuan muzikë të lehtë vallëzimi për çifte, ai erdhi pranë meje dhe më ftoi të vallëzoja me të. U ngrita dhe njërin dorë ia vura lehtë në supin e majtë, derisa po lëkundeshim ngadalë-ngadalë në atë gjysmë errësirë neonësh. U prezantua dhe shprehu haptas dashurinë për mua. I thash se nuk kisha qenë asnjëherë e dashuruar, prandaj isha ende e re dhe frikësohesha. Ai po qeshte me mua dhe sakaq kërkoi numrin tim të telefonit, të cilin unë ia dhashë. Që nga ajo natë ai më thërriste shpesh dhe më ftonte të dilja, por herë i përgjigjesha e herë mezi i flisja, por gjithnjë duke e kundërshtuar të dilja me të. E pranoj se vuaja për të dhe nuk më merrte gjumi natën: isha e bindur se ai seriozisht kishte rënë në dashuri me mua.
Nga dita në ditë ai ma rrëmbente zemrën dhe kësisoj në shtëpi pothuajse e vërejtën ndryshimin tim. Nuk më mësohej, nuk më hahej, por kohën më të madhe rrija e mbyllur në dhomën time, duke dëgjuar muzikë, e zhytur thellë në mendime. Nuk kish dyshim: isha e dashuruar dhe kjo gjë ndodhte për herë të parë në jetën time. Kjo ishte arsyeja vendimtare që një natë t’i thosha “po” ftesës së tij për të dalë me të. Shkuam në një restorant luksoz. Biseduam gjatë me njëri-tjetrin dhe e njoha sipërfaqësisht se ishte nga Gjilani, e kishte emrin Bekim, ishte i pasur dhe kishte shtëpi në lagjen “Velania”. Në pamje të parë linte përshtypjen e një djali që nuk dashuronte rastësisht, prandaj edhe i besova, e përhumbur shpirtërisht pas tij. Nga restoranti shkuam në një kafiteri tjetër dhe aty, duke pirë pije, ai m’u afrua dhe më puthi në buzë. Deri atëherë nuk më kishte provokuar asnjëherë, mirëpo unë tashmë po e reflektoja ndryshe simpatinë e tij: isha dhënë krejtësisht pas tij. Isha krejt e marrosur pas tij dhe më mungonte përvoja, meqë nuk dija të kundërshtoja aty ku duhej. Pas puthjes së parë, të lehtë dhe të zjarrtë në buzët e mia të vala, gjithçka mori kuptim tjetër. M’u duk sikur gjithë bota po rrotullohej poshtë këmbëve të mia. Gjithnjë e më shumë po dehesha nga një parandjenjë se dashuria për të po më ngulitej në palcë. Nuk doja t’ia prishja vetes këtë lumturi, për pasojat e mëvonshme të së cilës as që çaja kokën. Më pas. kur dolëm nga ai lokal, hymë në veturën e tij dhe unë po i kërkoja t’më kthente në shtëpi, meqë ora po shkonte drejt mesnatës. Ai gishtin tregues ma vuri në hundë dhe pëshpëriti ngadalë “shëëët”, duke më paralajmëruar se duhej të heshtja. Isha e hutuar dhe nuk mund as të reagoja për çka do qoftë, ndaj vetëm po i buzëqeshja.
Pas disa minutash u gjendëm në një shtëpi në lagjen “Velania”, në të cilën nuk ndodhej askush, veç ne të dyve. I thash se po ndieja frikë, por ai vetëm më buzëqeshte:
“A e di sa jam munduar për këtë natë që të jemi vetëm unë, ti dhe Zoti?”, më tha, duke më rrokur me të dy duart e duke më përplasur në një shtrat të gjerë bashkëshortor.
I thash: jam virgjine…
Më ka vërshuar me të puthura të njëpasnjëshme, ndërkaq duart e tij të fuqishme po depërtonin thellë e më thellë në brendinë e trupit tim virgjëror. E mbuluar nga një lumë djerse, hetova njolla gjaku në brekët e mia të bardhë, derisa gishtërinjtë e tij po gjurmonin mes këmbëve të mia.
“A e di se unë jam virgjine?”, i thash me pika loti në sy.
Dhe, e tëra ka zgjatur më pak se dhjetë minuta, njëfarë dhimbje e pa përshkruar dhe e përzier me kënaqësi e ofshamë nga ana ime. Nuk doja të besoja se çarçafi i bardhë ishte ngjyrosur me të kuqe, por kur përjetoja atë dhimbje, e cila sa vinte e bëhej më e durueshme, atëherë e dija se çka kishte ndodhur.
Pas një kohe e luta t’më kthente në shtëpi se ishte bërë tepër vonë, por ai insistonte që atë natë ta kaloja me të.
“Thërrasim në shtëpinë tënde dhe u tregojmë se ti je te unë sonte dhe do të jesh përgjithmonë!”, foli ai, i cili shtonte se të nesërmen mund të vinte bashkë me mua në shtëpinë time për t’më arsyetuar te babai.
Më dukej se po tallej me mua, por bindja për vendosmërinë dhe seriozitetin e tij u forcua tek unë atëherë kur më tha: “A e kupton ti se sa të dua dhe çka do të thotë kur ta duash kështu dikë si unë ty?”.
Zëri i tij at moment u bë i përvajshëm dhe për të parën herë ia pash lotët në fytyrën e tij të ndezur flakë.
“Do të ndahem nga gruaja dhe do të martohem me ty… ky është qëllimi im final!”, më tha.
M’u duk sikur tavani i gjithë asaj shtëpie më ra sipër. Fillova ta godas me sa fuqi që kisha. Nuk e lash gjë të zezë pa i thënë: sharje e mallkime drejtuar atij në vend të dashurisë – ashtu e meritonte.
Diku pas orës tre të mëngjesit më afroi pranë shtëpisë sime në “Bregun e Diellit”, duke më lutur që të takoheshim edhe të nesërmen mbrëma dhe njëherë e përgjithmonë të ishim bashkë. Jam kthyer në shtëpi, por mezi më mbanin këmbët e mia të ligështuara. Deri në ora tetë vetëm kam qarë, pastaj me sytë e skuqur nga vaji jam nisur për në shkollë. Kur më vërejti në atë gjendje profesoresha, më dha leje të shkoja në shtëpi deri në shërim nga “gripi”. Edhe ata të shtëpisë kishin marrë vesh se unë vetëm isha “ftohur” nga “zhurka” e mbrëmshme, në të vërtetë lotët e mi kishin emrin TMERR.
Më tha se nuk i interesonte e kaluara ime, por më mashtroi!
Ai ka vazhduar t’më telefonoj që të dilja me të, ose ai po shikonte mundësinë të vinte në shtëpinë time të bisedonte me babanë tim dhe pastaj të më merrte grua. Nuk doja në asnjë mënyrë që ta ndaja nga gruaja, tashmë që kisha kuptuar se ishte i martuar. Dhe, për hir të këtij vullneti tim që të mos ia shkatërroja jetën atij dhe vetes, po ashtu, as që kam dashur t’ia dëgjoj kurrë më zërin, sikur sot që ka dalë moti nga mendja ime.
Kam jetuar vite të tëra në vetmi të plotë deri në moshën njëzet e katër vjeç. Gjatë kësaj kohe kam pasur presion të vazhdueshëm nga rrethi familjar që t’i pranoja pozitivisht ofertat për t’u njoftuar me ndonjë djalë të propozuar nga dikush për qëllime serioze. Ç’është e vërteta, edhe pse kisha thënë se nga dashuria isha e thyer shumëcopësh, nga ana tjetër, askush veç meje nuk e kishte nuhatur “tmerrin” tim të asaj nate. Isha qetësuar, prandaj edhe fillova të dilja me sa e sa meshkuj për t’u njohur, por te asnjëri prej tyre nuk gjeja përshtatshmërinë e duhur. Thjesht, askush nuk më pëlqente dhe kthehesha “duarthatë” në shtëpi, ndonëse vitet e rinisë sime kalonin me shpejtësi.
Përfundimisht rashë në dashuri me një gazetar, emrin dhe vendbanimin e tij qëllimisht nuk po e tregoj, i cili ma rrëmbeu zemrën qysh në ditët e para kur filluam të dilnim bashkë. Dukej se ishte i vendosur për të gjetur një femër “serioze” si unë, aq më tepër kur pohonte se për të nuk kishte rëndësi e shkuara e një femre.
“S’ka rëndësi që ke pasur një të dashur apo edhe dy, meqë ke qenë e re dhe çdokush mund të gabojë në atë moshë. Unë jam njeri evropian: mirë është të jesh e virgjër, por edhe nëse nuk je, nuk prish punë!”. Që nga këto fjalë fitova njëfarë besimi në të, kështu që një natë kur ishim ulur në një lokal dhe po mundohesha t’ia hapja zemrën time të plagosur, papritur ai më tha:
“Nëse sot nuk më tregon gjithë të fshehtat e jetës, nesër do të jetë tepër vonë, prandaj ti vendos vetë… ose fol ose po mbetemi shokë… kurrgjë-kurrkujt!”.
Isha e zënë në mat-pozicion dhe sinqerisht e ndieja afrimin e tij të çiltër ndaj meje. S’kisha çka të ngurroja përpara një djali aq inteligjent, të cilën me heshtjen dhe hezitimin tim, do ta humbja.
“Unë nuk jam virgjine!”, belbëzova dhe ai për të parën herë më vuri dorën e tij mbi dorën time.
Tha se kjo nuk kishte kurrfarë rëndësie. Andaj, mua më bëhej qejfi se, më në fund, po gjeja një njeri që do të martohej me mua ashtu siç isha… e shvirgjëruar brenda dhjetë minutash nga një tjetër.
Atë natë u puthëm, duke u kthyer në shtëpi, meqë edhe ai banonte me qira jo larg shtëpisë sime. Dhe, siguria e besimi im për seriozitetin e lidhjes sonë u forcua edhe më tepër kur i kërkova të njoftohej me familjen time dhe ai pranoi me dëshirë. Në mbrëmjen tjetër dolëm me vëllanë e madh, me të cilin debatuan gjatë për politikë dhe tek në fund u ra ndërmend se për çfarë qëllimi ishim takuar.
“Qëllimi i njohjes me ju është ky: dola t’ju them se jam duke dalë me motrën tuaj, e para; se dalja me të nuk do të thotë se unë përfundimisht do të jem dhëndër i shtëpisë suaj, e dyta dhe e treta ne jemi në negociata me të dhe nëse moralisht është e pastër motra juaj, atëherë u jap fjalën se do të martohem me të”, i tha tim vëllai.
“Unë nuk po të them se ti duhet patjetër ta marrësh për grua motrën time, ju dilni një herë, njihuni mirë, vendosni vetë, gjeni gjuhë të përbashkët, por nëse s’ke mendim serioz për të, të lutem, mos e zgjat shumë këtë punë!”, ia ktheu im vëlla.
Dhe, duke ndier legjitimitet të plotë në dashurinë me gazetarin në fjalë, po atë natë i shkova në banesë dhe me kënaqësinë më të madhe iu dorëzova marrëzisht. Pas kësaj kemi kaluar edhe dy muaj në sy të të gjithëve, aq më tepër kur unë isha e përkrahur nga familja ime, por më pas jemi ndarë për shkak se ai tashmë nuk dëshironte të lidhej jetësisht me një femër pa virgjinitet. Bëmë njëfarë ndarje publike, por ne jemi takuar ilegalisht deri në ditët kur ai filloi të dyshonte në mua dhe kështu po akullohej pak nga pak dashuria jonë. Gjithmonë më këshillonte për të mirë se unë duhej të lidhesha seriozisht me një djalë dhe të krijoja familje me të…
Por, unë ende e dua gazetarin dhe për jetë të jetëve nuk do ta harroj…