Nga Beqë Cufaj
Kurrë mos u gënjeni kur ju flasin për punësime– siç Isa sot bënte me mijëra numrat marramendës. Për procese të integrimeve euro- atlantike siç Hashimi bënte mbrëmë- dhe bën gjithmonë. Apo siç si një kor i dobët këndojnë këngën që këtë vit do të udhëtojmë pa viza. E dijnë prandaj ju gënjejnë: edhe vet përmbushja e kritereve bile edhe drita jeshile nga KE-ja nuk don të thotë automatikisht lëvizje e lirë. Duhen edhe ca muaj deri tek ai hap. Thënë shqip: gjithmonë e kanë patur dhe e kanë për poste. Karrigë. Rehatim. E kanë dëshmuar, po e tregojnë dhe çfarë dramash do të ngjajnë në muajt që vijnë do ta shohim sërish. Asnjë forcë fantazie e çdonjërit prej nesh, vdektarëve të zakonshëm, nuk mund ta parasheh se sa larg janë në gjendje të shkojnë. Vetëm e vetëm të ulen aty ku duan.
Apo të mos shkojnë prej aty ku janë. Psh. Jahjaga. Presidentja. Zonja e parë e një shteti që doli nga zarfi i një diplomati të rangut të tretë nga Washingtoni pas fiaskos Thaçi-Mustafa- Pacolli. Zor që historia do ta tregojë pse pikërisht Jahjaga u nxor nga ai zarf. Ashtu siç zor do të tregohet se kush ishte kjo grua para, gjatë dhe pas presidencës.
Kurrë s’i kam ikur ballafaqimit me një krahasim sa të rëndë aq edhe të vërtetë: amerikanët, nga zarfi kanë nxjerrur persona për pozita veç në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore. Apo në Irakun e Afganistanin e sotëm. Në Evropë- këtë Evropën e sotme, jo.
Atifetja ishte çmimi i mvarësisë. Dhe falimentimit të kastës politike të Kosovës për një dekadë me radhë.Borxhi i tyre i larë për marre- para vullnetit të popullit i cili s’është edhe krejt budalla që “aprovoi” zgjedhjen e saj sepse vinte nga- kush tjetër, pos Amerika.
Nëse dikush provon t’i bëjë një bilanc politik Atifetes në këtë Presidencë edhe mundet ta bëjë- por e ka zor.
Sepse ajo s’ka qenë gjë tjetër pos një pasqyrim i përsosur i gjendjes shpirtërore e këtij nënqielli. Kabinet me këshilltarë që afrinë me të e kanë parë veç si trampolinë për punë të rehatshme e rroga të sigurta. Derisa u dilte ndonjë avanturë tjetër. Prandaj aq rikonfigurime por edhe peisazhe prej Macondo-je: prej Hikmetit e deri tek Tina…
Pasqyrim i përsosur i gjendjes intelektuale. Jahjaga kurrë s’ka ditur dhe s’din të lexojë në shqip. Për pesë vite sa e pat këtë post ende s’e ka as sigurinë e as rutinën e të lexuarit të një teksti në një shqipe- mesatare- letrare. Dhe kjo s’është marre. Sepse është e para e një shteti ku edhe qytetarët poashtu s’dijnë as të lexojnë e as të shkruajnë shqip. Dhjetë vitet e Milosheviqit dhe dhjetë vitet e UNMIK-istanit kanë krijuar jo më pak se katër gjenerata gjysmë analfabetësh. Që kanë bagazhe të një gjuhe që e dëgjojnë në radio e televizor dhe aty këtu e shfletojnë- dikur në gazeta e sot portale.
Dëshpërueshëm duhet ta pranoj: është e pamundshme t’i bëhet një rekapitulim presidencës së saj. Ka patur prej të gjithave ngapak. Edhe si shërbyese e amerikanëve edhe si reprezentante e qytetarëve. Por edhe si naive që e kanë keqpërdorur- ata që i ka afër dhe ata që kanë qeverisur e qeverisin me Kosovën.
Megjithatë marr guximin ta them që Jahjaga ka qenë një rrëfim tjetër. Amalgimi i çdo gjësë që këtij nënqielli i ngjau. Mes burrave me shikimet e mrrolura, pasigurisë në shtërngimet e duarve me diplomate e diplomatë të huaj, burrshtetasë e liderë botërorë- ajo me anglishte të rrjedhshme Kosovës i jepte një pamje, e përsëris, pamje tjetër.
S’kam si të mos e përmend edhe “thellësinë” e saj. Kurrë s’ka ditur sa… Këtë ajo e din më së miri bashkë me ata që mund të lexojnë “prezantimet” e saj. Apo s’doli e tëra në shesh kur pësoi “crash”-in me mentalitetin gjermanik në ZDF.
E shkuar dhe e harruar?
Të jetë kështu edhe puna e Atifetes? E shkuar dhe harruar? S’e besoj. Dalja e saj në terren flet jo vetëm për një lamtumirë të saj. Po don më shumë. Edhe pesë vite. Këtë e dijnë edhe Hashimi e Isa në njërën anë bashkë me Albinin, Ramushin e Fatmirin në anën tjetër. Por më së miri e din Kadri Veseli. “Bllokada” e zgjedhjes së Hashimit dmth. Presidencë e Përkohshme për Kadri Veselin. Kosovës. Po Jahjaga? Është para testit: nëse ishte zgjedhja e vetëm atij diplomatit që tash është pensioner i pasur apo prapa saj ishin njerëz të fuqishëm në Washington? Edhe Berlini? Fantazia punon dhe teoria e konspiracionit është perfekte. Odat ekonomike këto duar të zgjatura të Amerikës e Gjermanisë? Nëse është kjo e dyta- atëherë duhet të jetë që kjo dalja në terren s’është edhe krejt Lamturirë!
U kthyem ku filluam: tek karrigat e tyre. Dhe kjo është tragjedia në këtë Kosovë. Javë, muaj e vite të tëra mes “fushatash” e “lamtumirash”. Kur falimentimet politike shpallen fitore. Dhe çmimin e paguan njeriu i thjeshtë por edhe shkretë i këtij vendi. Njeri ky i cili e ka regjimin që e meriton!