Lajmet e fundit

ATK ia prezanton hulumtimin vetes, nxjerr mediat jashtë

Administrata Tatimore e Kosovës ftesën ua dërgoi të gjitha mediave që t`ua prezantojë rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2015 lidhur me shërbimet e ATK-së, si dhe prezantimi i punës së Zyrës për Gjoba dhe ndëshkime Administrative dhe sfidave në të ardhmen.

Mirëpo, mediat u larguan nga salla ku po bëhej ky prezantim, në momentin kur përfunduan fjalimet nga ministri i Financave Avdullah Hoti, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së Nahit Sharku dhe përfaqësuesit organizatës qeveritarë gjermane GIZ.

Prandaj përveç fjalimeve të përgjithësuara, gazetarët e pranishëm nuk mundën t’i marrin gjetjet e hulumtimit.

Në fjalimin e tij, ministri Avdullah Hoti e vlerësoi lartë punën e ATK-së dhe bashkëpunimin me GIZ-in gjerman. Sipas tij, falë këtij bashkëpunimi ka avancuar edhe puna e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Raporti nëntë mujor që e kam pranuar prej Administratës Tatimore tregojnë se kemi një rritje të të hyrave për 11.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të viti të kaluar”, tha ministri Hoti, i cili shtoi se pa mbështetjen e organizatave huaja, siç është GIZ-i gjerman nuk do arrihej ky rezultat, sidomos pas reformave fiskale që kanë filluar të aplikon nga shtatori i këtij viti.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së Nahit Sharku, tha se rezultatet e anketës tregojnë se tatimpaguesit në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet që i ofron institucioni që drejton ai.

“Përkundër që është bërë një avancim, shihet që ka nevojë që ne si Administratë Tatimore të punojmë që t`i avancojmë këto procese, në mënyrë që tatimpaguesit t`I kryejnë obligimet e tyre në mënyrë vullnetare, ashtu siç kërkohet edhe me legjislacionin në fuqi”, tha Sharku.

Leave a Reply

Your email address will not be published.