Disa linja të autobusëve urbanë në Prishtinë nuk lëshojnë ende kuponë fiskalë.
Një ndërkombëtar që punon në Prishtinë ka raportuar në KALLXO.com për këtë dukuri. Ai thotë se në disa raste është përballur me situatën kur kondukteri i autobusit i ka dhënë biletë të modelit të vjetër, pavarësisht se shumë linja autobusi tash e disa muaj funksionojnë me kuponë fiskalë.
“E kërkova një kupon fiskal por asnjëherë nuk e mora”, thotë ai.
Për këtë rast, KALLXO.com e ka pyetur Komunën e Prishtinës.
Zëdhënësja Miranda Mullafaziu tha se 10 autobusët që i takojnë Trafikut Urban janë të pajisur me arka fiskale.
“Për linjat e nënkontraktuara, duke qenë se janë kompani private, përgjëgjesinë për pajisje me arka fiskale e mban vetë Kompania, në përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi. Ndërsa kontrollimi i posedimit te arkave fiskale i takon Administratës Tatimore” tha Mullafazliu.
Ekipi i KALLXO.com ka dalur në teren për ta verifikuar situatën dhe ka parë se në disa prej autobusëve nuk ka pasur kuponë fiskalë.
Njëri nga shoferët e autobusëve tha për KALLXO.com se kjo ndodhë rrallë për shkaqe teknike.
“Ndodhë që nganjëherë arka nuk e nxjerrë kuponin mundet me u prish ose me mbet pa bateri. Inspeksioni del nganjëherë me na kontrollu janë persona të autorizuar, kontrollojnë kush ka bileta. Udhëtarët të cilët kanë biletë mujore nuk u japim kupona fiskalë. Por kur ka ka filluar të implementohet ligji për kupona fiskalë edhe na kena startuar me shpërnda. Unë kam pesë vjet qe punoj kurse para nja tre vjetëve kemi filluar me kupona”, tha shoferi i njërës nga kompanitë e transportit të udhëtarëve në trafik urban i cili nuk deshi ta zbulojë identitetin.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Administratën Tatimore të Kosovës por nuk ka marrë përgjigje nëse këto kompani mbikqyren nga ATK. /Kallxo.com