Lajmet e fundit

Avokati ankohet për paraburgimin e Donika Kadaj-Bujupit

Avokati Arianit Koci brenda një ore do të dorëzojë ankesën kundër paraburgimit të Donika Kadaj-Bujupit.

KALLXO.com e ka siguruar ankesën që Koci do ta dorëzojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës me kërkesë që ajo t’i shkojë Gjykatës së Apelit.

Koci në ankesë e quan të padrejtë vendimin për paraburgimin e Donika Kadaj-Bujupit.

“Ky vendim nuk ka qenë as i drejtë as i ligjshëm, e as proporcional. Prandaj ky vendim as nuk ka ndikuar në forcimin e zbatimit të ligjshmërisë e as në qetësimin e situatës politike. Gjykata ka pasur hapësirë juridike ta marrë ndonjë vendim tjetër”, ka vlerësuar Koci.

Ai në ankesë rendit edhe elemente tjera me të cilat konteston vendimin.

“Vendimi i gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit përmban të meta të shumta. Gjykata bën formulime të standardizuara dhe stereotipe duke mos iu referuar fakteve të veçanta të lëndës. Asnjë nga pretendimet e mbrojtjes nuk është trajtuar në arsyetim të këtij vendimi,” thuhet në ankesën e avokatit Koci.

Deputetes së AAK-së iu caktua të mërkurën masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa avokati Koci nuk e di se në cilën qendër paraburgimi ndodhet Kadaj-Bujupi, por supozon se ajo duhet të jetë në Lipjan.

Leave a Reply

Your email address will not be published.