Lajmet e fundit

Avokati i Popullit ka një thirrrje

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari në Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ka bërë thirrje për vëmendjen e autoriteteve për të fuqizuar sistemin e drejtësisë, për të siguruar mirëqenien e njerëzve, përmes një sistemi të qëndrueshëm ekonomik, që është i përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të secilit.

Lexoni urimin e plotë të Jasharit:

“Këtë vit, 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, përkon me 50 vjetorin e miratimit të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike dhe Protokolleve të saj, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, të cilat bashkë me Deklaratën Universale përbëjnë ndërkombëtarisht bazamentin e të drejtave të njeriut.

Miratimi i këtyre dy Konventave ka vendosur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në thelb të funksionimit të shumë vendeve të botës. Sot, më shumë se kurrë, vërehet rëndësia e respektimit të tyre përballë shqetësimeve dhe sfidave globale, vlerësohet pesha që këto dokumente kanë për fuqizimin e sistemit të drejtësisë, për ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm ekonomik dhe për rritjen e mirëqenies së njerëzve, për t’ju mundësuar atyre integritet dhe dinjitet.

Kosova i ka të përfshira në Kushtetutën e vendit të dy Konventat dhe Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut, të cilat garantojnë respektim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, përderisa zbatimi i tyre mbetet proces që kërkon angazhimin e vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, që i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në baza vjetore, pasqyron gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend, bazuar në standardet e vëna në dokumentet e lartpërmendura. Në të njëjtën kohë, bën thirrje për vëmendjen e autoriteteve për të fuqizuar sistemin e drejtësisë, për të siguruar mirëqenien e njerëzve, përmes një sistemi të qëndrueshëm ekonomik, që është i përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të secilit.

Për të promovuar dhe për të ngritur vetëdijen për këto dy Konventa, në 50 vjetorin e miratimit të tyre, Kombet e Bashkuara, përkatësisht Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, ka lansuar në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kampanjën ‘Të Drejtat tona. Liritë tona. Përgjithmonë’ Kjo kampanjë vazhdon, përgjatë një viti, të vërë në pah të drejtat e patjetërsueshme, por edhe të sensibilizojë, jo vetëm mbrojtësit e të drejtave të njeriut, shoqërinë civile e aktivistët, por edhe institucionet shtetërore, me theks të veçantë institucionet e pavarura, që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, çfarë është edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Republikën e Kosovës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.