Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ashpër ndaj qasje së udhëheqjes komunale te Mitrovicës së veriut, pasi që thotë se shqiptarët janë të lë anash.
“Marko Gjuriqi dhe Goran Rakiqi dje iu dhanë banesa disa familjeve, në emër të asaj se janë në gjendje të rëndë sociale. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë. Këtë e tregon fakti se nuk është përzgjedhur asnjë familje shqiptare që t’i ndahet banesë, e të cilëve dihet se u janë djegur shtëpitë gjatë luftës dhe ende nuk u janë rindërtuar. Le që nuk po ndihmohen shqiptarët, por ata edhe po pengohen”, ka thënë kryetari Bahtiri për Veriu.info.
I pari i Mitrovicës me këtë rast ka dalë me një kërkesë për institucionet e Kosovës.
“Kërkoj nga institucionet më të larta të Kosovës që t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që ‘Lagjja e Boshnjakëve’ dhe ‘Kroi i Vitakut’ të kthehen në administrimin e Mitrovicës së jugut, sepse për dallim nga komuna e veriut, ne do t’i trajtojmë si qytetar tonë dhe do të përkujdesemi maksimalisht për ta”, thekson Bahtiri për Veriu.info.
Ndryshe, dje drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ua ka dorëzuar çelësat e 24 banesave familjeve serbe në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës, të ndërtuara me mjetet e Qeverisë së Serbisë.