Ju garantoj se për 6 muaj do të largohet barrikada dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm nëpër urën e Ibrit që tani është e bllokuar, dhe kjo do të arrihet me zhvillim ekonomik. Këto premtime i ka bërë kryetari i ardhshëm i Mitrovicës, Agim Bahtiri, para simpatizantëve të AKR-së, të hënën në qendër të Mitrovicës.
Ai ka falënderuar LDK-në për mbështetjen, për të cilën tha se ka qenë koalicioni më i fuqishëm në Kosovë, ngase janë bashkuar paraja dhe dija.
“Do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’ua kthyer dinjitetin qytetarëve dhe qytetit të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.
Ndërkaq, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se do të jap gjithçka nga energjia dhe mundësitë e tij për ta mbështetur kryetarin e sapo zgjedhur në Mitrovicë. Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar, por edhe partitë e koalicionit, veçanërisht LDK-në për mbështetjen në garën e balotazhit.
LDK-ja ka mbështetur një kauzë të drejtë që do të shpërblehet me punë të përbashkët”, theksoi Pacolli.
Ai falënderoi po ashtu pushtetin e deritashëm, por siç tha ai, ka mbetur akoma shumë punë pa u kryer. Sipas tij, meritat më të mëdha i takojnë atyre që dhanë jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë, falë të cilëve sot festohet fitorja në liri.
“Do ta luftojmë fuqishëm varfërinë dhe papunësinë duke ndërtuar perspektivë për gjendjen në Mitrovicë”, ka thënë Pacolli.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Sadri Ferati, u shpreh se fitorja e Bahtirit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve.
“Agim Bahtiri do ta bëjë ëndrrën për Mitrovicën realitet, sepse qytetarët e meritojnë një gjë të tillë”, ka thënë mes tjerash Ferati.