Lajmet e fundit

Bajrami: Në mars bëhet stabilizimi i UP-së

Viti 2015 në sektorin e arsimit u karakterizua si viti i cilësisë nga autoritetet e sferës. Mirëpo, për shumë kohë të gjatë u bllokua puna e Universitetit të Prishtinës, për shkak të moskomunikimit në mes të rektorit, Senatit dhe dekanëve të fakultetit, e kjo nxiti pakënaqësi të shprehura edhe me protesta.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, me të ardhur në Universitet ndryshoi rregullin e studentëve për të kaluar vitin. Ai bëri që për studentët të hiqet afati i jashtëzakonshëm për provime, si dhe shtoi numrin e provimeve që të kalojnë vitin. Kjo shkaktoi pakënaqësi te studentë, e këtë pakënaqësi ata vendosen ta shprehin me protesta para Rektoratit, duke i kërkuar kthimin e rregullave të mëhershme. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Rektori iu kundërpërgjigj se duhet cilësi dhe se do të arrihet cilësia në Universitetin e Prishtinës.

Edhe përkundër protestave rektori vazhdonte punën e tij.

Por, në tetor ndërroi situata. Këshilli Drejtues i UP-së me 7 anëtarët,shkarkuan rektorin Ramadan Zjenullahu, me gjashtë vota pro.

Ky shkarkim nxiti edhe shqetësime në publik, duke bërë që të dalin në përkrahje të rektorit. Në përkrahje të Zejnullahut doli edhe Ministria e Arsimit, dhe vetë ministri Arsim Bajrami.

U organizuan edhe protesta të cilat kërkuan kthimin e rektorit në vendin e punës. Por, ato përfunduan pasi që Ministria e Arsimit e riktheu në punë rektorin.

Kjo situatë në Universitetin e Prishtinës që zgjati për një vit rresht ishte edhe brenga dhe problemi më i madh i Ministrisë së Arsimit.

Këtë e thotë vetë ministri Bajrami.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se brengë e veçantë për të dhe Ministrinë në këtë vit ka qenë UP-ja.

Lidhur me rikthimin e rektorit në postin e tij, u përfol se ky ishte një kthim politik. Bajrami lidhur me këtë thotë se vendimi për rikthimin e rektorit ka qenë një intervenim i domosdoshëm shtetëror, pasi që Ministria nuk ka mundur të pajtohet me degradimin e gjendjes në Universitetin publik. Ai ka treguar që ka kërkuar nga mësimdhënësit që të largojnë logjikën e shkarkimeve dhe të provojnë të dalin nga egot personale, dhe të gjejnë një zgjidhje parimore.

Bajrami tha se po punohet që universitetet në Kosovë të specializohen për tregun e punës, e që të mos ofrojnë shërbime të panevojshme, apo edhe drejtime të panevojshme. Ai tha se nuk dëshirojnë të rrisin inflacionin e të papunëve përmes studentëve, por që dëshirojnë që studentët t’i orientojnë drejt shkencave ekzakte.

Ai porosit që ka kaluar koha e kuantitetit dhe se tani duhet cilësi, shkathtësi, ku përmes kësaj njerëzit që nga arsim i lartë do të mund të punësohen dhe të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik.

Sipas Bajramit gjendja në gjashtë universitetet publike të Kosovës është relativisht stabile. Ai tha për KosovaPress se në UP nuk ka pasur pranime pas afatit.

Tani universitetet publike do të kenë konkurrencë edhe kolegjet private. Ministri Bajrami është shprehur se tani Ministria e Arsimit do t’i mbrojë kolegjet private, sepse ato janë të barabarta me universitetet publike. Ai madje ka theksuar se disa nga kolegjet private në Kosovës, ia kanë kaluar edhe universiteteve publike sa i përket cilësisë.

Ministri Bajrami tregon se në Kosovë do të jenë tetë universitete publike, në mesin e saj do të jetë edhe Universitetit në veri të Mitrovicës, cili do të jetë Universitet i Kosovës, universitet ky i cili do të jetë në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë./KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.