Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pranuar dorëheqjen e Ferdije Zhushi-Etemit nga pozita e Kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim).
“Me këtë rast, ministri Bajrami vlerëson lartë punën dhe kontributin e çmuar të Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi në themelimin dhe konsolidimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Pranimi i AKA-së në ENQA dhe në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), padyshim që paraqesin një zhvillim shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë në Kosovë dhe kontribut në përmirësimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, si një mundësi e re për ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve tanë në sistemin evropian të arsimit të lartë. Anëtarësimi i AKA-së në këto institucione kredibile ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë, dëshmon për punën profesionale të AKA-së, në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira evropiane në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe pa dyshim paraqet dëshminë më të mirë për punën dhe kontributin e Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi në kryesimin e bordit të AKA-së”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.