Lajmet e fundit

Ballisti: Zastava-n ma dha një kosovar

Njeriu që ngriti dronin në stadiumin “Partizani” në Beograd, tetorin e kaluar, do të qëndrojë në burg, në një periudhë të pacaktuar. Gjykata e Tiranës dha masën e arrestit burg pa afat për Ismail Morinajn, i njohur ndryshe si Ballisti, i cili u kap një ditë para ndeshjes Shqipëri – Serbi me dy pistoleta.

Ai thotë se njërën prej armëve e ka gjetur në fshatin e vendlindjes dhe tjetrën ia ka dhënë një kosovar, ndërsa ka përjashtuar nga përgjegjësia shokët, të cilët u liruan dje. Morinaj u shfaq dje në Gjykatën e Tiranës me bluzë të kuqe me simbolin e flamurit, por nuk u lejua që ta mbante veshur atë, pasi kjo gjë është e ndaluar. Për avokatin, armëmbajtja është pranuar nga vetë klienti i tij dhe në një intervistë për një media të huaj. Ismail Morinaj i tha gjykatës se e pranon veprën e armëmbajtjes pa leje, por unë shtoi ai, nuk kam pasur dhe nuk do kem asnjëherë konflikt me shqiptarë, raporton “Shqip”

“Jam i keqardhur për situatën e krijuar, mbaj përgjegjësitë e mia. Do të doja të isha para një trupi gjykues serb ku të tregoja krenarinë shqiptare. Fatkeqësisht jam para një gjykate shqiptare, ku të mbroj veten. Nuk kërkoj mëshirë, jam këtu për të kërkuar mirëkuptim. Kam një familje që i mungoj e më mungon prej një viti. Në rast të një vendimi negativ nga ju si gjykatë nuk ka për të fituar askush. Në rast se më lironi do të nderoj deri në fund edhe dy fëmijët e mi do ju falënderojnë një ditë”, tha Morinaj.

Në fund, gjykata shpalli arrest me burg për të. Sipas prokurorisë, Morinaj akuzohet për mbajtje të armës së zjarrit në publik. Ai u kap më 7 tetor pas një informacioni të ardhur në sallën operative të Policisë së Tiranës, se në një automjet kishte brenda njerëz të armatosur. Mësohet se makina Land Rover drejtohej nga Ismail Morinaj ndërsa të tjerët ishin Marin Rezha, Denis Balla dhe Erjon Bahushi.

Morinaj kishte në xhepin e pantallonave një armë “Zastava”, me 6 fishekë. Poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit u gjet një tjetër pistoletë TT dhe në dyshemenë e automjetit u gjet një gëzhojë dhe në kroskot ishin 30 fishekë. “Morinaj shpjegoi se armët që ju gjendën në automjet i posedonte ai dhe i mbante për vetëmbrojtje. Ai shpjegon se armën TT e kishte gjetur në fshatin e tij në Kukës, ndërsa pistoletën ia kishte dhënë një shtetas kosovar”, thuhet në dosjen e akuzës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.