Lajmet e fundit

Banorët e Obiliqit pa gjumë nga zhurma e Termocentralit

anorët e Obiliqit, janë ata që pothuajse çdo herë e bartin koston e problemeve që shkaktohen në këtë komunë. Komuna që llogaritet të ketë ajrin më të ndotur në Kosovë po bëhet çdo herë e më pak e dëshiruar nga banorët e saj.

Përveç tymit që thithin banorët e Obiliqit, për gjashtë muaj rresht ata u përballen edhe me një zhurmë që për çdo ditë e më shumë ua vështirësonte jetesën. Ajo vinte nga termocentrali Kosova B. Siç mëson KosovaPress, zhurma ka ardhë për shkak të lidhjes me avull të “Termokos-it, e cila me t’u ndërprerë ngrohja nga kjo ngrohtore nis edhe zhurma.

Por për këtë zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se cili ka qenë shkaku i kësaj zhurme. Ata, thonë se tashmë kanë zgjedhur problemin.

Por, banorët shpjegojnë tmerrin që kanë përjetuar për gjashtë muaj rresht. Sidomos, banorët e atyre shtëpive që janë shumë afër Termocentralit.

E shqetësuar ka qenë familja e Bejtullah Halitit. Ky i fundit tregon për KosovaPress se sa të vështirë e kanë pas jetën.

“Sa të duash, nuk ka ku shkon më shumë. Edhe zhurma edhe tona të zezat na u kanë bërë…. po lodhemi gjithë ditën zhurme, gjithë natën zhurmë”, tha Haliti.

Më pak i shqetësuar nuk ka qenë as familja e Avni Palojit. Megjithëse ditën zhurma pakësohej, për shkak edhe të qarkullimit të madh të makinave, Paloji thotë se tmerret i kanë përjetuar natën.

“Na shqetëson kogja mirë, bënë zhurmë kogja fortë, nganjëherë kogja shumë e nganjëherë pak më pak por me bë zhurmë bënë. Zakonisht natën dëgjohet më shumë se natën është më qetë dhe natën dëgjohet më shumë, na pengon normal që na pengon, por tash edhe jemi mësuar. Nganjëherë kur bënë më shumë bash bash nuk mundemi me fjet, ma shumë për fëmijë”, tha ai.

Ndërsa Përparim Klinaku, i cili banon në afërsi të termocentralit, thotë se kjo zhurmë është e përhershme, veçse që disa muaj është lëshuar me ritëm më të madh.

“Zhurma është pengesë për ne për arsye se edhe nën vetëdije na u ka bërë pjesë e jetës, është ndoshta njëra prej shakatarëve kryesor e që ndikon tek ne emocionalisht për shkak se edhe na bënë nervoz. Mjafton nëse dikë e ke pesë ose gjashtë metra afër, mjafton vetëm me ta kthy shpinën e ti mundesh me e thirrë dhe ai nuk të dëgjon deri sa të shkon me prek. Pastaj për gjumë, nata sidomos, ka njerëz që punojnë, janë të angazhuar në studime, dikush ka qef me mësua natën, në këto kushte jeta është shumë e vështirë”, tha ai

Ai tregon se për shkak të kësaj zhurme, që sa kohë është detyruar të shkojë në biblioteka të Prisht inës, pasi që leximi në shtëpi ka qenë i pamundur. E kjo, thotë, se i ka kushtuar mjaftë, financiarisht.

Ky problem, pas tymit që thithin banorët, është shqetësimi i dytë për të gjithë banorët e Obiliqit, e jo vetëm ata të lagjes afër termocentralit.

KosovaPress, ka pyetur në KEK për arsyet e krijimit të kësaj zhurme, ku përgjigja që ka marrë është se e gjithë kjo ka ardhë për shkak të një problem teknik.

“Përkundër sfidave te ndërlidhura me moshën e stabilimenteve me te cilat operon, përgjegjësia ndaj komunitetit ku vepron është një nga objektivat kryesore te KEK sh.a. Në këtë vije zhurma, e cila për shkak te një problemi teknik ishte paraqitur para një kohe nga Termocentrali Kosova B, tashme është eliminuar ne tërësi”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të kësaj kompanie Edmond Nulleshit, përmes postës elektronike.

Në anën, tjetër banorët kanë frikë se kjo zhurmë do t’u ktheh et atyre, kur do të ndalojë sezoni i ngrohjes në mars të vitit të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.