Kryetari i Pardisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar sot lidhur me përmbytjet që kanë prekur jugun e vendit prej dy ditësh.
Ai ngushëlloi familjen e të ndjerit Luan Qarri, i cili humbi jetën nga vërshimet në Vlorë, si dhe i bëri thirrje qeverisë të mobilizohet maksimalisht për të shmangur viktima të tjera në njerëz.
“Situatë e rëndë për qindra familje në Fier e Vlorë, por dhe në qytete e fshatra të tjera të jugut ku shirat e dendur kanë krijuar përmbytje e pasoja dramatike. Për fat të keq, ujërat e rrëmbyer kane shkaktuar edhe vdekjen e kryefamiljarit Luan Qarri. Dua t’u shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij”, shprehet kreu i opozitës në “Facebook”.
“I kërkoj qeverisë të mobilizohet me gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet absolut. Të veprohet me shpejtësi dhe të zbresin në terren me të gjitha forcat e mjetet, aty ku bashkëqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera”, vijon deklarata e Bashës.