Miratimi i strategjisë kundër korrupsionit dhe ndjekja e gjashtë rasteve të ndryshme brenda një viti nuk e kanë bindur Bashkimin Evropian se në Kosovë po bëhet luftë kundër korrupsionit.
Në Raportin e progresit të Komisionit Evropian që pritet të publikohet javën e ardhshme, BE-ja vlerëson miratimin e ligjeve të kërkuara nga raporti i studimit të fizibilitetit që qe publikuar vitin e kaluar por kërkon që institucionet dhe mekanizmat e ndryshme në luftën kundër korrupsionit të kenë koordinimin më të mirë, shkruan “Tribuna”.
Pos tjerash, kërkon që në Kosovë të ndërmerren masa edhe të parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi nuk ka dashur që të dielën të komentojë të gjeturat e raportit, derisa ai nuk është bërë publik. Megjithatë sipas tij, punët që kërkohen nga ai edhe si ministër i drejtësisë janë kryer.