Shqipëria do të përfitojë plot 89.9 milionë euro, pas vendimit të marrë nga Këshilli Europian për të miratuar fondin e para-anëtarësimit.
Ky fond është pjesë e një projekti madhor të BE-së e cila në total ka akorduar plot një miliardë euro për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në kuadër të mbështetjes së reformave dhe bashkëpunimit ndër-rajonal.
89.9 milionë eurot e dhëna për vendin tonë do të shërbejnë për reforma në demokraci, qeverisje, në krijimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetjen e të drejtave themelore të njeriut. Ndërkohë, përkrahje do të ketë edhe punësimi, arsimi si dhe politikat sociale.
BE do të japë plot 155 milionë euro për të financuar projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjitike që synojnë të ndërlidhin vendet e Ballkanit.
Këtu përfshihet modernizimi i katër linjave energjetike, ndërtimi i dy rrugëve si dhe i dy hekurudhave.
Shqipëria do të përfitojë nga modernizimi i linjës aktuale energjitike me Maqedoninë, teksa pritet që të miratohet në terma afat mesëm, fillimi i ndërtimit të një linje nënujore që do të lidhë vendin tonë me Italinë.
Ndërkohë, për Kosovën janë miratuar plot 78 milionë euro për të mbështetur reformat në Demokraci, qeverisje, në forcimin e shtetit ligjor, energji, bujqësi si dhe zhvillim rural. Pritet edhe rikonstruktimi i hekurudhës, Maqedoni, Kosovë, Serbi.
Shteti që do të marrë më shumë fonde nga BE do të jetë Turqia me 255.1 milionë euro, e ndjekur nga Serbia me 196.6 milionë dhe nga vendi ynë me 89.9 milionë euro. (Ora)