Lajmet e fundit

BE-ja shqyrton mundësinë për pezullimin e pjesshëm të zonës “Schengen”

Ministrat e drejtësisë të Bashkimit Evropian janë duke zhvilluar takime për të dytën ditë me radhë në Bruksel. Mediat e huaja raportojnë se gjatë takimit të sotëm mund të merret parasysh pezullimi i pjesshëm i zonës pa kufij “Schengen” për dy vitet e ardhshme, në mënyrë që të reduktohet vala e madhe e refugjatëve drejt Evropës.

Nëse ministrat merren vesh për suspendimin e “Schengen”-it, atëherë do të fillojnë kontrollet diskrecionale të pasaportave në kufijtë shtetëror brenda zonës, transmeton KosovaPress.

Ideja për futjen e kontrollit të pasaportave si masë sigurie, vjen pas mbylljes spontane të kufijve nga vendet anëtare, të cilat kanë qenë target dhe tranzit për qindra mijëra refugjatë që ikin nga vatrat e luftës në Lindjen e Mesme.

Ministrat po ashtu thuhet të jenë duke e konsideruar mundësinë e suspendimit të Greqisë nga zona “Schengen”, nëse kjo e fundit nuk pranon ndihmë në menaxhimin e kufijve nga agjencia për kufij e BE-së “Frontex”.

Greqia vazhdimisht ka kundërshtuar asistencën e fuqisë punëtore nga BE-ja, e cila kishte ofruar ndihmë materiale në kufijtë grek për të ndihmuar në menaxhimin dhe regjistrimin e turmave të refugjatëve.

Megjithatë, në momentin e fundit Athina formalisht ishte pajtuar për të pranuar ndihmë nga “Frontex”-i në kufirin verior me Maqedoninë si dhe në ishujt e Lesbos.

Zyrtarë nga 28 shtete anëtare të BE-së janë mbledhur po ashtu për t’i dhënë përgjigje një iniciative nga Gjermania për të lansuar një program masiv për risisteminin e refugjatëve nga Turqia.

Propozimi i Gjermanisë është i dizajnuar si program shkëmbimi me Qeverinë e Turqisë, e cila është pajtuar për të shkatërruar kontrabanduesit e refugjatëve dhe të bind refugjatët që të mos nisen drejt Greqisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.