Lajmet e fundit
BE: Procesi zgjedhor, hap pozitiv për demokracinë në Kosovë

BE: Procesi zgjedhor, hap pozitiv për demokracinë në Kosovë

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve i ka vlerësuar si të mirë apo të kënaqshëm procesin zgjedhor të 3 nëntorit, me përjashtim të sulmeve në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës.

Në deklaratën preliminare të Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve thuhet se zgjedhjet për Kuvende Komunale dhe kryetarë të Komunave ishin me rëndësi të posaçme sepse për herë të parë mbaheshin në të gjithë Kosovën sipas ligjeve të Kosovës.

“Ndonëse ky proces ende nuk ka përfunduar, ai paraqet një hap pozitiv përpara për demokracinë’, thuhet në deklaratë.

“3 nëntori ishte ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Njerëzit kanë shfrytëzuar mundësinë për të dalë për të votuar, për ta shprehur të drejtën e tyre demokratike dhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në pjesën më të madhe të Kosovës, dita e zgjedhjeve ka kaluar në mënyrë të qetë dhe paqësore. Natyrisht, unë i dënoj sulmet në Mitrovicën e veriut. Ky ishte sulm ndaj të drejtës themelore të njerëzve për t’i shprehur dëshirat e tyre përmes fletëvotimeve. Megjithatë, fakti që njerëzit kanë dalë për të votuar dëshmon se ata që donin ta sabotonin procesin kanë dështuar”, tha Roberto Gualtieri, shef i Misionit.

Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për një muaj. Ata i kanë vëzhguar të gjitha aspektet e procesit zgjedhor deri më tani, duke përfshirë punën e administrimit të zgjedhjeve, aktivitetet e fushatës së kandidatëve dhe partive politike dhe sjelljen e mediave, si dhe kanë vlerësuar se korniza ligjore siguron bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike.

Më tej thuhet se ndëshkimet e rënda të parapara me ndryshimet në Kodin Penal nga viti 2012 mund të kenë kontribuuar në parandalimin e njerëzve nga kryerja e shkeljeve zgjedhore.

Në shumicën e komunave, përgatitjet teknike kanë kaluar pa vështirësi të mëdha. Ambienti i zgjedhjeve ishte i qetë dhe kishte një fushatë të gjallërishme. Mediat kanë siguruar mbulim të gjerë të fushatës, duke iu mundësuar garuesve në zgjedhje që t’i bartin porositë e tyre tek opinioni publik, duke iu ofruar votuesve informata të larmishme.

“Përkundër vështirësive të posaçme në veri, me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në rolin e lehtësuesit, organet zgjedhore ishin të suksesshme në organizimin e zgjedhjeve. Megjithatë, përhapja e gjerë e frikësimeve dhe presioneve kundër aktivistëve politikë dhe votuesve nuk mundësonte një fushatë të lirë. Disa elemente të procesit zgjedhor do të kërkojnë më shumë vëmendje të Kosovës në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu thuhet se ka pasur besim të ulët në saktësinë e listave të votuesve, posaçërisht për shkak të rasteve të shpeshta të pranisë së personave të vdekur, si dhe shumë votuesve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.

Ekipi i BE-së raporton se procesi i regjistrimit të votimit jashtë Kosovës ishte i vështirë dhe nuk ishte i favorshëm për votuesit dhe as gjithëpërfshirës. Megjithatë, janë bërë përpjekje për ta rritur pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje.

Gratë kishin përfaqësim tejet të ulët edhe në organet zgjedhore edhe në kandidim për kryetare të komunave.

“Vëzhguesit e BE-së do të qëndrojnë në Kosovë deri në përfundimin e tërë procesit zgjedhor dhe, gjatë ditëve në vijim, do t’i monitorojnë ankesat dhe parashtresat dhe përgatitjet për balotazh”, shtoi Roberto Gualtieri, Shefi i Misionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.