Lajmet e fundit

Bekim Blakaj: KFORI fyejti viktimat shqiptare me ftesën e Dikoviq

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në një intervistë në edicionin qendror të lajmeve në Klan Kosova ka treguar se në bazë të gjetjeve të këtij fondi gjenerali serb Dikoviq është përgjegjës për shumë krime të kryera në luftën në Kosovë.

“Në bazë të gjetjeve tona edhe në terren dhe nga dëshmitarët okularë sidomos nga dokumentacioni nga tribunali i Hagës ka rrjedhur se përgjegjës për disa nga krimet e kryera në Kosovë  është Brigada 37, komandant i së cilës ka qenë  Dikoviq”.

“Kjo brigadë ka operuar në Drenicë dhe është përgjegjëse për disa krime që kanë ndodhur atje në kohën kur janë kryer krime në Kosovë”.

Ai ka thënë se për këtë janë publikuar dy dosje.

“Në vitin 2012 kur është emëruar si shef i Shtabit Gjeneral, fondi ka publikuar një dosje ku përshkruhet përgjegjësia e tij për krimet e kryera në Kosovë”.

“Është përpiluar edhe një dosje e dytë për Brigadën 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë”.

Ai ka thënë se të gjeturat janë publike dhe përshkruhen deri në detaje krimet që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve, njofton Klan Kosova.

Sipas Blakaj, gjenerali Dikoviq është marrë në mbrojte nga presidenti i Serbisë.

“Pas publikimit, gjenerali Dikoviq është marrë në mbrojtje nga presidenti Nikolic, megjithatë para disa ditëve Prokuroria Speciale për krime lufte në Beograd ka bërë të ditur se jane duke kryer disa hetime për krimet e kryera në Kosovë”.

Sipas Blakaj, KFORI ka gabuar me ftesën ndaj Dikoviq.

“KFORI ka partner ushtrinë serbe dhe si rezultat është takuar disa herë me gjeneralin Dikoviq por këto takime kanë ndodhur në Serbi”.

“Sjellja e tij në Prishtinë nuk ka qenë vendim i matur i KFOR-it, është fyerje për viktimat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.