Lajmet e fundit
Beogradi e vazhdon lojën me pensionet e Kosovës

Beogradi e vazhdon lojën me pensionet e Kosovës

Fondi Pensional Republikan (PIO) i Serbisë ka refuzuar 1.241 nga 8.151 kërkesa të pensionistëve nga Kosova që kanë qenë shfrytëzues të pensioneve deri në fillimin e luftës në Kosovë në mars të vitit 1999, me arsyetimin se ata nuk mund të marrin nga dy çeka (pensione) të Kosovës dhe Serbisë.

Në një shkrim të botuar në gazetën “Politika”, siç transmeton rtk-ja, thuhet se Fondi Pensional Republikan i Serbisë do të vazhdojë t’ua paguajë pensionet 37 pensionistëve nga Kosova, të cilat kanë qenë objekt i kontestit, kurse 1.241 kërkesa janë refuzuar, sepse nuk mund të merren nga dy pensione në të njëjtën kohë, ka thë në për gazetën në fjalë Dragi Vidojeviq, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punës.

“Nga 8.151 kërkesa të parashtruara për vazhdimin e pagesës së pensioneve 1.287 janë plotësisht të kompletuara. Njëkohësisht 1.241 kërkesa janë refuzuar, sepse paraqitësit si dëshmi në kërkesat e veta kanë cekur se janë shfrytëzues edhe të pensioneve nga territori i Kosovës, ashtu që nuk është e mundshme të merren nga dy pensione njëkohësisht”, ka theksuar Vidojeviq.

”Në harmoni me dispozitat e UNMIK-ut, ata që jetojnë në “Kosovë e Metohi” dhe kanë të paktën 15 vjet sigurim të mëparshëm pensional tek PIO e Serbisë kanë të drejtën për pension. Duke qenë se sipas legjislacionit nuk është e mundshme të merren njëkohësisht dy pensione, për këtë shkak kërkesat tjera edhe janë refuzuar”, ka qenë kategorik Vidojeviq.

Njëkohësisht janë parashtruar edhe 7.000 kërkesa jo të plota, për çka për të tretën herë janë dërguar serish rreth 8.118 thirrje që të parashtrohen dokumente plotësuese. Mirëpo, thekson Vidojeviq, problemi qëndron në faktin që Serbia ka fletëdorëzime për rreth 5.289 thirrje, kurse për rreth 2.829 sosh nuk ekzistojnë dëshmitë për dorëzimin.

“Serbia, respektivisht Fondi PIO, për këta 37 pensionist për të cilët është e sigurt se do të vazhdojnë t’i marrin pensionet në Kosovë do t’i ndaj rreth 20 milion dinarë (180.000 euro). Midis tyre ka edhe të atillë të cilëve duhet paguar nga tre e më shumë miliona dinarë, sikurse është rasti me një punëtor të MUP-it”, ka thënë Vidojeviq.

Nga këto 37 aktvendime të gatshme, Serbia nuk ia ka dalur t’i dorëzojë pesë sosh, sepse në atë territor nuk ka qasje, prandaj akoma po kërkohen mënyra si do të zgjidhen rastet e tilla, a do të shkohet nëpërmjet UNMIK-ut apo ndonjë mënyrë tjetër, e krejt me qëllim që të mbrohet sovraniteti i shtetit, thotë ky zyrtar serb.

Grupi i punës që po merret me çështjen e pensioneve të Kosovës do të duhet që deri më 21 tetor ta njoftojë Gjykatën në Strasburg e cila edhe e ka iniciuar kontestin kundër Serbisë për t’u zgjidhur kjo çështje, që gjatë nëntorit para Këshillit të Ministrave të (BE) prezantohet raporti mbi atë deri ku është arritur.

Do si do, ka shtuar Vidojeviq, Serbia ka treguar vullnet të mirë për ta zgjidhur këtë çështje, pos që pala serbe ka kërkuar që të ndryshohet projekt-vendimi që ka mundësuar pagesën e pensioneve të dyfishta, që edhe është miratuar.

“Është konstatuar se nuk janë të nevojshme kurrfarë masash të veçanta për sigurimin e mjeteve shtesë për pagimin e pensioneve të mbetura, e nëse një kërkesë e tillë paraqitet, Ministaria e Finacave duhet t’i sigurojë mjetet”, ka thënë ai.

Vidojeviq ka sqaruar se fjala është për pagesën e pensioneve të mbetura për të gjithë ata që i kanë fituar aktvendimet për pensione, e të cilëve pagesa e pensioneve ka pushuar të bëhet më 1999. Plani se si do të zgjidhet kjo çështje është miratuar vitin e kaluar, pas vendimit të Gjykatës në Strasburg dhe aktgjykimit të plotfuqishëm nga shtatori i vitit 2012 me të cilin urdhërohet pagesa e pensioneve në Kosovë. Pas gjithë kësaj edhe pas një viti të vendimit të Gjykatës, në Strasburg, zyrtarët e Beogradit po e vazhdojnë lojën e turpshme me pensionistët e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.