Serbia nuk do t’i lë Kosovës liqenin artificial të Ujmanit (Gazivodës), as hidrocentralin e Ujmanit si dhe trafostacionin “Valaç”. As që bëhet fjalë për këtë! Kështu shkruan sot e përditshmja e Beogradit, “V. Novosti”.
Sipas kësaj gazete, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq më 9 shkurt këtë ia ka bërë me dije delegacionit shqiptar dhe përfaqësues së lartë të BE-së Federica Mogherini, pavarësisht se energjetika nuk ishte “në tavolinë në këtë raund negociatash në Bruksel.
“Novosti” duke u thirrur në burime të veta shkruan se kryeministri serb është detyruar që menjëherë të heq “vijën e kuqe” në liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, transmeton Koha.net.
Sipas kësaj gazete në kontestin e të dy palëve është përzier edhe kompania turke, që ka blerë rrjetin energjetik të Kosovës. Gazeta thotë se pala shqiptare për shkak të turqve ka shkelur Planin e aksionit nga fusha e energjetikës, për të cilin parimisht ishin marrë vesh grupet e punës të Prishtinës e të Beogradit.
Ishte propozuar, pa hyrë në çështjet pronësore, që “Elektroprivreda Srbije” (Elektroekonomia e Serbisë) të formojë një kompani të re – “Elektrokosmet” ose “Elektrosever”, që do të merrej me shitjen dhe shpërndarjen e energjisë elektrike dhe që do të kontrollonte “Gazivodën” (liqenin dhe hidrocentralin) dhe “Valaçin”. Ndërmarrja e re do të ishte e përzier, meqë do të përfshihej në kuadrin e rregullatorit dhe qendra kryesore dispeçerike do të ishte në Prishtinë.
Liderët shqiptarë të Kosovës këtë e refuzuan.
Prishtina, pa e pyetur fare Beogradin, ia shiti gjithë elektrodistribucionin dhe rrjetin elektrik, përfshirë edhe “Gazivodën” dhe “Valaçin”, kompanisë turke. Tani turqit kërkojnë atë që e kanë paguar, por nuk mund të marrin në pronësi liqenin artificial dhe të trafostacionin në pjesën veriore të Kosovës që kontrollon elektroekonomia e Serbisë, shkruan gazeta.
Duke e quajtur veprim dinak këtë sjellje të liderëve shqiptarë, “Novosti” shkruan se në fakt ata kanë rënë në kurthin e vet dhe tash thotë se as që do të bisedojnë për “Gazivodën”, meqë, siç pohojnë ata është “pronë që i përket Kosovës”.
Sipas kësaj gazete dy të tretat e sipërfaqes së liqenit të Ujmanit shtrihen në territorin e komunave Tutin dhe Novi Pazar, do të thotë në territorin e Serbisë, por penda dhe hidrocentrali ndodhen në komunën e Zubin Potokut në Kosovë.
Prishtina planifikon ta marrë edhe trafostacionin e madh “Valaç” në Rogoznë, që aktualisht sipas “Novostit” i përket Serbisë.
Akumulimi i Ujmanit është ndërtuar nga viti 1973 deri më 1977, duke iu zënë gryka lumit Ibër.
Uji i tij përdoret për prodhimin e rrymës, por edhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq si dhe për pije në shumë vendbanime të Kosovës.