Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Anton Berisha, duke i komentuar deklaratat e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili ka theksuar se shpreson qe opozita e ka kuptuar se kauza e tyre nuk ka mbështetje të gjerë popullore, ka thënë se “nuk e di ku ka qenë Bajrami në vitet kur demonstronim kundër Serbisë, nëpër sheshet e qyteteve të Kosovës, e sidomos në Prishtinë”.
Berisha ka shkruar në rrjetin social Facebook se “As atëherë nuk ka demonstruar e tërë popullata, por me rëndësi ka qenë se populli e ka përkrahur idenë e lirisë, demokracisë dhe të drejtën për shtet”.
“Edhe atëherë, edhe sot për fat të keq, një pjesë e mirë është frikësuar prej pushtetit, forcave policore, kushtëzimeve të ndryshme. Me rëndësi është se dy marrëveshjet, për AKS-në e demarkacionin, a e kanë përkrahjen e popullit të Kosovës apo jo”, ka thënë ai.
Berisha thekson se Qeveria duhet të jap përgjigje në pyetjen se a po e përkrahin qytetarët këto dy marrëveshje.
“Me vetkonstatimin arbitrar se opozita nuk e ka përkrahjen dhe me ndërsymjen e forcave policore për të vërtetuar këtë tezë, duke përgjakur Kosovën në Ditën e Flamurit – shefi yt Isa Mustafa, si njeri i dëshmuar i shkollës sllave, vetëm po imiton e zbaton metodat shfarosëse të Serbisë ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Berisha.