Bernard Përlazri, i dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës nuk i zgjodhi fjalët në gjykimin ku akuzohet për detyrim në bashkëkryerje të mbetur në tentativë.
Bashkë me Bernard Përlazrin për këtë vepër po akuzohen edhe Pashk e Jozef Përlazri.
Në fillim të seancës në Gjykatën Themelore në Prizren, Nikë Shala, avokati i Bernard Përlazrit, me kërkesë të klientit të tij kërkoi përjashtimin e gjykatëses dhe prokurores dhe marrjen e kësaj lënde nga EULEX-i.
Këtë kërkesë avokati e arsyetoi me atë se nuk i beson kësaj gjykate dhe prokurorie me ndryshimin e rrethanave pas vrasjes së Hekuran Morinës, të dëmtuarit të këtij procesi.
Pastaj i akuzuari Bernard Përlazri nuk mundi ta përmbajë veten, duke shpërthyer në fyerje dhe kërcënime, ndaj të cilave nuk pati reagim nga gjykatësja dhe prokurorja.
“Zoja gjykatëse prej policisë dhe prokurorisë së Prizrenit krejt kjo ka ardhë, ju s’ keni faj si trup gjykues, po krejt k’ta e kanë pru punën deri qetu. Më mshelën në burg gjashtë muj ditë, m’dulën 4 vetë, ken tuj më vra, s’ pata ku me shku mo. Këta nuk janë tu punu drejt. 6 muj ditë për dy shuplaka m’ kanë majtë, krejt këto prokuroria dhe Nexhmedin Krasniqi i kanë bo,” tha Përlazri.
Ai kërkoi me të njëjtën gjuhë kërcënuese e fyese të largohen ata që kanë ngritur aktakuzën.
“Ju kisha lutë që këtë prokurore dhe çka ka prokuror mos me mi pru këtu, se krejt kjo Ervehe Gashi, së bashku me Sylë Hoxhën dhe Nexhmedin [Krasniqin] e kanë pru deri këtu… po nihet kur të del edhe Zoti ka me e marrë vesh, se më morën në qafë mu, e morën në qafë atë [Hekuran Morinën] dhe mu, e ju ardhtë rendi ju kajshin fëmija edhe këtyne, qysh janë tu i kajtë atina, se nuk e kam lehtë as unë, i lashë fëmijët rrugës,” vazhdoi të flasë Përlazri.
Përlazri, u ankua në gjykatë edhe për faktin se pse po mbahej i lidhur me zinxhirë në këmbë dhe duar.
“Mos më shtini me vjellë prej goje, se kur të vjelli keni me u zhveshë krejt qysh ka shku ai. Edhe zonja gjykatëse a ka mundësi me e ditë pse në këmbë e në duar janë tuj më lidhë. Këta po thonë gjykata ka urdhëru… gjykatësja: jo, jo… po kush ka urdhëru ai Nexh p…, se ka me ja q… familjen edhe atij,” kërcënoi, shau dhe u ankua Përlazri.
Avokati Nikë Shala nuk i komentoi fjalët e pamatura të të mbrojturit të tij.
“Ishte kërkesë e klientit tim që të kërkohet përjashtimi edhe i gjyqtares edhe i prokurores për shkak se i njëjti dyshon në objektivitetin e vendorëve. Kërkesa e tij është që kjo çështje t’i dërgohet në kompetencë Eulexit. Veprimet e tij janë çështje personale dhe unë nuk isha lëshu në to,” tha Shala për KALLXO.com.
Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon të akuzuarit Bernard, Pashk dhe Jozef Përlazrin se në bashkëkryerje prej mesit të janarit e deri më 23 shkurt 2015 në Prizren me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përdorur forcën apo kanosjen serioze ndaj personit tjetër.
“I pandehuri Bernard Përlazri i shoqëruar me një person për momentin ende të panjohur për prokurorinë, shkojnë në lokalet e biznesit të të dëmtuarit Hekuran Morina, kërkojnë të bisedojnë me të dhe gjatë bisedës me të dëmtuarin Hekuran, e në prezencën e dëshmitarëve Fadil dhe Afrim Morina, kërkojnë nga Hekurani shumën prej 70 mijë euro, gjoja në emër të borxhit që e kishte babai i tyre, tani i ndjeri Beg Morina,” thuhet në aktakuzë.
Aktakuza përshkruan edhe ngjarjen e 23 shkurtit të këtij viti.
Më 23 shkurt 2015 rreth orës 19:40 minuta në Prizren derisa i dëmtuari Hekuran Morina ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, pranë tij ndalen dy automjete njëri BMW X5 dhe tjetri Audi A4, nga njëra veturë del i pandehuri Bernard ku i ofron një kopje të letërnjoftimit ku thuhet “Beg Morina i murr te Bernard Përlazri më 22.01.2012, 70 mijë euro borxh, brenda 6 muajve me u kthy borxhi,” shpjegon aktakuza.
Më tutje në aktakuzë flitet për sulmin që të akuzuarit ia bënë Hekuran Morinës kur ky kishte thënë se shkrimi në kopjen e letërnjoftimit nuk ishte i babait të tij.
Në atë moment Jozef Përlazri kishte filluar ta godiste me grushta, ndërsa të pandehurit Bernard e Pashk, i hapin të gjitha dyert e automjetit dhe e sulmojnë me dru duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit. I pandehuri Jozef Përlazri e ofron dorën në brez duke thënë a ta vrasim, ndërsa Bernardi kishte thënë largohuni mos i bjerni, pasi që e ndërprejnë sulmin, i pandehuri Bernard i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: ‘Këtij borxhi ke me ju përgjigj’,” vijon aktakuza.
Shtatë muaj më pas, më 7 shtator 2015 te rrethi i “Bazhderhanes” në Prizren u vra Hekuran Morina dhe u plagosën edhe tre persona, mes tyre edhe vëllai i Hekuranit, Fadili.
Pas vrasjes familjarët e të dëmtuarve protestuan edhe para gjykatës dhe prokurorisë duke kërkuar drejtësi. KALLXO.com, raportoi për këto raste.