Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë se s’e ka vizituar asnjë prej 22 familjeve të xhihadistëve të Kaçanikut që kanë shkuar në luftën e Sirisë.
Megjithëkëtë, në një intervistë për Gazetën Express, Ilazi thotë se problemi pse disa qytetarë të Kaçanikut iu bashkuan ISIS’it është gjendja e rëndë ekonomike.
Sidoqoftë, kreu i njërës prej komunave më të varfra të Kosovës, thotë se muajt e fundit s’ka pasur shkuarje të kaçanikasve në Siri.
Edhe mediat botërore qytetin e Kaçanikut e kanë cilësuar si Kryeqytet të xhihadistëve.Kjo për shkak se njëri prej udhëheqësve të luftëtarëve të ISIS’it në Siri është Lavdrim Muhaxheri, nga Kaçaniku.
Por me këtë konstatim s’pajtohet Kryetari i këtij qyteti.
“Kaçaniku ka gjithçka të bukur. Cilësimi i Kaçanikut si kryeqytet i xhihadit është emërtim joadekuat”, ka shtuar ai.
Ilazi ka treguar edhe për hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj ish-Kryetarit Xhabir Zharku për dëmin e shkaktuar prej 67 mijë eurosh në projektin e dështuar të pallmave.
Kryetari i Kaçanikut ka folur edhe për problemet ekonomike, për buxhetin, për investimet e Qeverisë; për bllokadën në Kuvend; për Asociacionin; për Demarkacionin me Malin e Zi etj.