Lajmet e fundit

BIK-u është i befasuar me “gjuhën e ultë” që u përdor dje pas votimit në UNESCO

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ahmet Sadriu, në një prononcim për Telegrafin ka folur për dështimin e Kosovës që të bëhet pjesë e organizatës së OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), duke theksuar se beson që edhe pse është humbur kjo sfidë, Kosova nuk do të ndalet në rrugëtimi ne saj për tu bërë pjesë e këtyre institucioneve.

Ai ka folur edhe për votimin kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, të disa shteteve që e kanë shumicën e popullsisë myslimane, duke theksuar se “kur jemi të kjo çështje, kemi të bëjmë me një problem politik dhe jo problem fetar”.

“Nuk kemi nevojë t’i japim kësaj çështje karakter fetar. Shohim se në këtë proces kemi disa shtete me përkatësi islame që janë pozicionuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Nëse ndalemi edhe e shohim pak më thellë problematikën, vërejmë se kemi të bëjmë me ndikimin politik rus, si dhe me një lloj nostalgjie për raport me ish- Jugosllavinë, siç është Indonezia”, ka theksuar Sadriu.

Ai ka sqaruar se “nuk na befason pozicioni i Sirisë dhe Libanit, sepse aty kemi të bëjmë më ndikimin direkt të Rusisë”.

“Palestina na ka befasuar. Pastaj një shtet tjetër që nuk e ka mbështetur Kosovën është Maroku, shtet i cili ka problem të brendshme me pjesën e Saharasë”, ka thënë Sadriu.

Sipas tij, fyerjet dhe ofendimet që kanë shkuar dje në adresë të shteteve arabe, kanë qenë të një niveli të ulët, duke shtuar se “doli në shesh se shumica e vendeve arabe kanë votuar për Kosovën”.

“Nuk duhet t’i japim të drejtë vetes dhe të dalim me deklarata të pamatura dhe të ngutshme. Fatkeqësisht, shumë politikanë kanë rënë pre e dezinformatave të disa mediave. Ndonëse Kosova nuk është anëtarësuar, ne si shtet e kemi kaluar një test të fuqishëm: Jemi votuar prej një numri të madh të shteteve. Mbetet e jona të angazhohemi më shumë”, ka shtuar Sadriu.

BIK-u, sipas tij, është përpjekur ta japë kontributin e tij si institucion në këtë proces, duke shtuar se Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në vizitat e fundit në Katar dhe në Arabinë Saudite ka kërkuar që të përdoret ndikimi i tyre te shtetet tjera për ta ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.