Ndaj deklaratës së ish- kryeministrit shqiptar, Pandeli Majko se është Gjykata Kushtetuese e Kosovës ajo e cila do ta zgjidh çështjen e kushtetutshmërisë së marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, ka reaguar sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi. Ai në një shënim në Facebook ka thënë se kjo gjykatë nuk ka besueshmëri dhe prandaj është e nevojshme organizimi i referendumit.
Ky është shënimi i tij i plotë:
Aktgjykimet e viteve të fundit të Gjykatës Kushtetuese kanë ndikuar që ajo të humbë tërësisht besueshmërinë e të qenurit një arbitër neutral.
Prandaj, të kërkosh që fati i shtetit të Kosovës të lihet në dorë të kësaj Gjykate, është njejtë sikur të kërkosh që, fatin e qengjit ta lësh në mëshirën e ujkut.
Kur mekanizmat e sistemit humbin besueshmërinë, atëherë i vetmi arbitër neutral dhe i pa shmangshëm është qytetari i Kosovës.
Në demokraci, kontestet shoqërore të cilat e ndajnë një shoqëri në dysh, mbyllen vetëm atëherë kur qytetarit i mundësohet që përmes referendumit të shprehet për njërën apo për tjetrën të vërtetë.
Vetëm verdikti i sovranit i shprehur përmes referendumit detyron palën humbëse të heshtë. Rrugët tjera vetëm sa e thellojnë edhe më shumë ndarjen.