Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka vlerësuar se një numër i madh i qytetarëve do ti bashkohen protestës se paralajmëruar nga tri partitë opozitare , VV, AAK dhe NISMA e cila pritet të ndodhë me 28 nëntor. Sipas Sherifit, qeverisë i mbetët vetëm të zgjedh mënyrën e tërheqjes se marrëveshjes, pasi që prerazi ai thotë se marrëveshjet nuk do të kalojnë as sot e as nesër.
Në një intervistë dhënë “Gazeta Blic” Sherifi, tregon pritjet e opozitës për rrjedhën e protestës se paralajmëruar nga ta, planin me të cilin liderët opozitarë do të hynë në mes të turmes në atë ditë dhe më shumë rreth zhvillimeve aktuale politike në vend.
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Gazeta Blic: Opozita ka paralajmëruar protestë me 28 nëntor, si do të jenë rrjedhat e saj? Dhe pse pikërisht në ketë datë?
Bilall Sherifi: Tanimë publiku ka kohë që është i informuar për kërkesat e opozitës, të cilat kanë të bëjnë me anulimin e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë për asociacionn dhe me Malin e zi për demarkacion. Në funksion të realizimit të këtyre kërkesave Opozita e Bashkuar ka ndërmarr veprime të ndryshme, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij. Sigurisht që ndër mjetet që kemi parashikuar të përdorim, që nga fillimi, ka qenë edhe protesta gjithë popullore. Fakti që deri më tani ende nuk e kemi thirrur ka qenë se kemi dashur t’i japim kohë qeverisë të reflektojë. Prandaj, duke pasur parasysh faktin e mosgatishmërisë së qeverisë për të reflektuar, opozita vendosi që të mos e shtyjë më tej protestën gjithë popullore kundër marrëveshjeve.
Sa i përket ditës së protestës, shumë herët ka qenë e vendosur që kjo ditë të jetë e shtunë, në mënyrë që t’ju mundësohet të marrin pjesë të gjithëve që dëshirojnë të shprehin mospajtimin me kërkesat, qofshin të papunë apo të punësuar, nën dy, që protestën ta shndërrojmë në një Manifestim Paqësor dhe nën tre që Manifestimi të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti e jo para ndërtesës së qeverisë. Të gjitha këto masa janë ndërmarrë që qeverisë t’ia heqim çdo pretekst për të provokuar. Fakti që në këtë të shtunë është edhe 28 nëntori vetëm sa i jep kuptim edhe më të madh Manifestimit gjithë popullor.
Gazeta Blic: Në protestën e fundit u arrestuan disa protestues, që sipas policisë arrestimet u bën nga që ata ishin protestues të dhunshëm, a pritet të ju bashkohen qytetar në mas të madhe?
Bilall sherifi:Protesta e fundit nuk ka qenë protestë e thirrur nga opozita, më shumë duhet parë si reagim të qytetarëve në shenjë revolte ndaj masave represive që qeveria i ndërmori kundër deputetëve të opozitës. Sidomos arrestimi i Donika Kadaj-Bujupi dhe caktimi i paraburgimit të saj ka shkaktuar revoltë të madhe të protestuesit. Ishte më shumë një zbrazje e mllefit të pjesëmarrësve dhe jo një skenar i opozitës. Sigurisht që askush nuk dëshiron të sheh skena të tilla por përgjegjëse për situatën e krijuar në vend është qeveria e cila deri më tani nuk ka dhënë shenja se është e gatshme të ndryshojë kursin e saj politik dhe të heqë dorë nga këto marrëveshje. Prandaj presim që në këtë Manifestim të marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve që nuk pajtohen me këto marrëveshje.
Gazeta Blic: Kryesia vendosi të thërret seancë për të hënën e ardhshme, ju si opozitë a do ta bartni ‘paqen’ nga kjo protestë e paralajmëruar në Kuvend? Apo të kundërten?
Bilall Sherifi: Thirrja e seancave nga kryesia e Kuvendit para se të zgjidhet kriza politike në të cilën e kanë sjellë vendin këto dy marrëveshje, nuk i kontribuon qetësimit të situatës. Veprimet e Opozitës së Bashkuar nuk janë qëllim në vete, ato për qëllim kanë tërheqjen e marrëveshjeve, përderisa marrëveshjet janë në fuçi, nuk do të ketë as ndryshim të qasjes së Opozitës së Bashkuar.
Gazeta Blic: Me çfarë plani do të dalë opozita me 28 nëntor?
Bilall Sherifi: Ashtu siç kemi bërë deri më tani, do të përcjellim të njëjtat mesazhe, Marrëveshjet nuk Kalojnë, prandaj sa më shpejt që qeveria i tërheqë ato aq më shpejt vendi do t’i kthehet normalitetit.
Gazeta Blic: A ka menduar opozita plane tjera për rrëzimin e marrëveshjeve?
Bilall Sherifi: Marrëveshjet nuk duhet të zbatohen, as sot dhe as nesër. Opozita e Bashkuar do të veprojë konform situatave të krijuara. Por i takon qeverisë që të gjejë rrugë dhe mënyra përmes së cilave do të tërhiqet nga këto marrëveshje. E tëra që po kërkojmë ne është kjo, as më pak dhe as më shumë.