Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën ka thënë se sot janë lajmëruar urdhërdhënësit duke thënë se Opozita nuk e gëzon përkrahjen e popullit.
“Shihet qartë se pushteti i ka verbuar në atë masë, saqë për ta, ata dhjetëra mijëra pjesëmarrës në Manifestimin e djeshëm nuk janë pjesë e këtij populli. Pra, kjo është logjika e tyre, kushdo që është kundër këtyre dy marrëveshjeve nuk është pjesë e popullit” ka shkruar Sherifi në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Ai është shprehur se nëse kjo qeveri vazhdon kështu, që të gjithë ata që janë kundër dy marrëveshjeve, t’i përjashtojnë nga të qenit pjesë e popullit, atëherë shumë shpejt do të mbetet qeveri pa popull.
“Në histori kemi mjaft shumë raste kur popujt kanë përjashtuar qeveritë e tyre, por nuk dimë ndonjë rast kur një qeveri, sado e fuqishme të ketë qenë, të ketë arritur të përjashtojë një popull të tërë” ka përfunduar ai.