Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter dhe ai i UEFA-s, Michel Platini janë suspenduar me tetë vjet nga të gjitha aktivitetet e futbollit, raporton BBC.
Komiteti Etik i FIFA-s sot ka marrë vendim që Platini e Blatter të suspendohen për tetë vjet nga të gjitha aktivitetet e futbollit për shkak të akuzave për korrupsion, Dënimi hyn në fuqi menjëherë.
Ata janë akuzuar për një pagesë jo të ndershme në vlerë prej 2 milionë franga zvicerane që i ishte bërë Platinit nga xhirollogaria e FIFA-s në vitin 2011.
Të dy thonë se pagesa ishte për një punë që Platini e kishte bërë si këshilltar i Blatterit nga viti 1998 deri në vitin 2002, për të cilën kishin vetëm kontratë verbale e jo të shkruar.
Veçanërisht ishte e dyshimtë koha kur u bë pagesa, nëntë vite më vonë. Po ashtu ishte bërë pikërisht në momentin kur Blatter po kërkonte përkrahje për mandatin e tij të katërt si president dhe kundërkandidat e kishte Mohamed Bin Hammamin e Katarit.
Ky vendim i Komitetit Etik i shuan shpresat Platinisë që të kandidojë për president të FIFA-s në zgjedhjet e 26 shkurtit. Koha.net.