Pas raportimit të djeshëm të portalit QdheQ për punësimin e vëllaut të Blerta Deliut në televizionin publik nuk ka ardhur asnjë sqarim nga RTK-ja. QdheQ ka pyetur edhe zyrtarisht bordin dhe menaxhmentin e RTK-së për ta komentuar punësimin e vëllaut të deputetes. Megjithatë, asnjë përgjigje nuk është kthyer në pyetjet e dërguara në adresë të RTK-së.
QdheQ ka vazhduar hulumtimin për ‘rehatimin’ e familjarëve të zyrtarëve të PDK-së. Mësohet se vëllau i deputetes Deliu, Taulanti, nuk është i vetmi nga familja e afërt e deputetes që ka zënë pozitë shumë të rëndësishme publike.
Burri i Yllka Deliut, që është motra e deputetes, Korab Mushkolaj ka qenë konsul në ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse prej 1 nëntorit të vitit të kaluar ka filluar punën në ambasadën e Kosovës në Hungari. Kësisoj, si duket deputetja përmes ndikimit të saj partiak i ka siguruar motrës së saj të jetojë herë në Amerikë e herë në zemër të Evropës.
Ndërkaq, motra tjetër, Valmirë Deliu punon si zyrtare e lartë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Deliu vetë ka qenë e punësuar në RTK.