Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në 23 tetor të këtij viti ka publikuar listën e 8,918 bizneseve borxhlinj për periudhën 2000-2008 lidhur me faljen e borxheve.
Sipas listës, rezulton se shuma e përgjithshme e borxhit që bizneset në Kosovë për këtë periudhë i kanë ATK-së janë rreth 280.9 milionë euro.
Më shumë se gjysmën e këtij borxhi që bizneset kanë ndaj ATK-së, e përbën interesi, në masën 50.3 për qind, apo shprehur në vlerë, rreth 141,3 milionë euro.
Kjo shumë lë pas 81.8 milionë euro apo 29.1 për qind, tatimin pa pension, ndëshkimin me 20.6 për qind apo 57.7 milionë euro, dhe gjoba në vlerë rreth 23,940 euro.
Sipas komunave, ku këto biznese u themeluan, rezulton se me borxh më të madh ndaj ATK-së për këtë periudhë janë bizneset nga Komuna e Prishtinës me pjesëmarrje të theksuar prej 36.7 për qind apo 103.1 milionë euro.
Prizreni renditet i dyti me 11 për qind, Peja 6.7 për qind, Ferizaj dhe Gjilani, përkatisht me 5.6 dhe 5.4 për qind dhe komuna e Gjakovës me 4.6 për qind.
Me nga 2 për qind të borxhit të përgjithshëm janë bizneset nga komunat e Fushë Kosovës, Rahovecit, Lipjanit dhe Zubin Potokut.
Vlerë më të vogël të borxhit kanë bizneset e Komunës së Novo Bërdës me rreth 10 mijë euro dhe Mitrovicës veriore me vetëm 343 euro.
Bizneset e komunave Podujevë, Shtërpcë, Klinë, Mitrovicë, Malishevë, Kaçanik, Kastriot-Obiliq, Suharekë, Viti, Vushtrri, Istog kanë vetëm nga 1 për qind pjesëmarrje në borxhin e përgjithshëm.
Ndërsa me më pak se nga 1 për qind renditen komunat Kamenicë, Drenas-Gllogoc, Leposaviq, Graçanicë, Deçan, Dragash, Han i Elezit, Shtime, Zveçan, Skenderaj, Ranillug, Junik, Novo Bërdë dhe Mitrovicë Veriore.
Ligji për faljen e borxhit (Nr. 05/L-43) hyri në fuqi në 1 shtator të këtij viti.
