Lajmet e fundit

Brukseli nuk është babadimer

Në mënyrë pothuajse naive Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Isa Mustafa dhe e përbërë nga koalicioni PDK-LDK ishte përgatitur që qytetarëve të Kosovës si dhuratë për këtë fund të këtij viti të vështirë, ndoshta më të vështirit që nga pavarësia, politikisht e ekonomikisht t’ia bënte një dhuratë: lëvizjen e lirë, lëvizjen pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Por ja që pa u mbyllur viti mirë doli që nga dhurata që ishte ëndërruar të paketohej e shitej si suksesi më i madh i koalicionit në fjalë dhe dyshes Mustafa-Thaçi.
Askush nuk duhet t’i gëzohet këtij lajmi i cili në radhë të parë i godet vet qytetarët e Kosovës, sepse klasa politike e Kosovës jo vetëm këtë vit por prej pas luftës, ka mundur dhe vazhdon të lëvizë e lirë në Evropë. Mjaftojnë paratë, lidhjet me Ambasadat në Dragodan dhe vizat janë “punë e kryer”- jo vetëm politikanët, por edhe familjarët e tyre. Me “cucë e me macë” kanë lëvizur, lëvizin dhe do të lëvizin të lirë. Është populli, janë qytetarët ata që kanë vuajtur, po vuajnë dhe do ta vuajnë këtë pasojë shkaqet e së cilës s’ka dyshim që s’mund t’i vishen kësaj Qeverie por të gjitha Qeverive që deri tash Kosova ka pasur pasi që mospuna në përmbushjen e kritereve, mosluftimi i krimit dhe korrupsionit kanë bërë që edhe këtë fundvit ta presim të izoluar, vetmuar dhe përjashtuar qoftë nga vendet e shtetasit e rajonit që mund të lëvizin të lirë ashtu edhe nga Evropa. Paramendojeni një vend kur pothuajse gjysmë milioni e pjestarëve të tij janë në Evropë dhe anëtarët e familjeve të tyre, të afërmit dhe miqtë nuk mund t’i vizitojnë as shohin. Dhe jo të gjithë kanë kohën e besa edhe qejfin të vijnë në Kosovën e terruar nga krimi e korrupsioni për t’i parë të afërmit e tyre. Për dëshpërimin e diasporës së fortë që kemi as që ia vlen të flitet sepse kjo gjë dihet. Ne do të vazhdojmë të jemi në terr dhe në një formë edhe këta njerëz që i kemi në perëndim po dënohen padrejtësisht pikërisht pse Kosova ka një klasë politike të papërgjegjshme dhe sidomos një Qeveri naive e të korruptuar.
Po si deshifrohet ky naivitet i Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Kadri Veselit që kishin menduar se Brukseli është Babadimër që do t’ua jap liberalizimin? Përgjigja është e thjeshtë dhe s’ka fare nevojë për deshifrim. Me koncesionet në dialogun me Beogradin duket që Qeveria e pushtetarët kishin menduar se do t’u kundërshpërblehej kjo gjë. Dhe del që jo vetëm se nuk do të shpërblehen por thjesht Brukseli ua ka shtrënguar aq shumë rripin saqë vija e kuqe e mosliberalizimit të vizave s’është gjë tjetër veçse një ftesë e hapur për popullin që të shporrë këtë Qeveri dhe këtë koalicion nga piadestali i keq-qeverisjes! Në anën tjetër është Beogradi është Qeveria e atjeshme ajo që ka përfituar më së shumti nga po procesi i dialogut. Me Asociacionin në xhep dhe me mirësjelljen me mijëra refugjatët nga Siria, Afganistani e Iraku që po kalojnë nëpër Serbi drejt Gjermanisë e Evropës, Serbia është bërë nyja kryesore e Evropës e cila do ta kontrollojë dhe kanalizojë këtë “proces” të migracionit të miliona njerëzve drejt Evropës. Edhe ky fakt duket që i ka dalë fare jashtë dore babaxhanit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafës, por edhe Hashim Thaçit. Naiviteti i tyre i pafundmë është që jo vetëm se nuk e kanë parë dhe lexuar këtë fakt por është mënyra e tyre e reagimit (i pari përmes kërcënimit e i dyti përmes arrogancës) ajo që flet më së miri se sa larg janë që të dy këta me qytetarët e vendit tonë. Sepse të thuash se edhe Ukraina e Kolumbia kanë liberalizim të vizave kurse Kosova jo dmth. që janë argumentet më të forta që diçka me ty nuk është në rregull. Sepse edhe Ukraina edhe Kolumbia – njëra në luftë me Rusinë dhe tjetra me kartelat e drogës kanë dëshmuar që kanë kontribuar për paqen dhe luftimin e krimit kurse Kosova e dalë nga lufta qe 15 vite ende s’ka arritur të pastrohet nga krimi e korrupsioni dhe s’ka sovranitet në krejt territorin e saj.
Që të jemi të qartë. Mesazhi që erdhi këto ditë është i thjeshtë: Brukseli nuk është Babadimri dhe pa u kryer detyrat e shtëpisë nuk do të kemi liberalizim të vizave as lëvizje të lirë. Koalicioni PDK-LDK s’i ka kryer detyrat e shtëpisë dhe janë naive krejt sharjet, fyerjet dhe kërcënimet që i bëhen Evropës. Sepse kjo foli dhe tash radhën e kanë qeveritarët në Prishtinë të mbledhin plaçkat dhe të shkojnë në shtëpi. Sa nuk është bërë vonë!
Shkruan : Shpetim Selmanaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.