Sektori i bujqësisë vlerësohet si njëri nga sektorët me potencial të madh në Kosovë, i cili mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Ekspertë të ekonomisë dhe të politikave bujqësore në Kosovë, thonë se investimi në këtë sektor do t’i mundësojë vendit zhvillim më të hovshëm.
Institucionet e Kosovës, thonë ata, duhet të krijojnë stimuj që të nxitet punimi i tokave të pashfrytëzuara, si dhe të ofrohen lehtësi, të cilat ulin koston e prodhimtarisë.
Halim Gjergjizi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se bujqësia paraqet një ndër mundësitë kryesore të zhvillimit ekonomik, ngase janë resurset.
“Kosova, fatmirësisht, ka një traditë të gjatë në prodhimtari, ka një klimë mjaft të përshtatshme dhe janë disa parakushte shumë të mira dhe ka kërkesa të vazhdueshme për ushqim. Tregu kosovarë është i pangopur me produkte bujqësore, ku edhe shumicën e produkteve bujqësore i importojmë”, shprehet Gjergjizi.
Edhe, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, vlerëson se element qenësor për zhvillimin ekonomik, është aktiviteti optimal i kapaciteteve të prodhimtarisë në sektorin e agrobiznesit
“Baza e zhvillimit ekonomik në Kosovë është bujqësia apo agrobiznesi. Ka elemente lëvizëse, ka donacione nga Qeveria, mirëpo duhet të ngrihet shuma, e cila duhet t’u jepet si donacion fermerëve dhe bujqve. Në kuadër të kësaj, janë shumë fabrika, të cilat e bëjnë lidhshmërinë zinxhirore për zhvillimin e prodhueshmërisë që nga mbjellja, përpunimi, nga vjelja e të tjera ”, thotë Tahiri.
Ai thekson se duhet të bëhet një hulumtim se çka të prodhohet më tepër, që si i tillë ai produkt të mund të depërtojë edhe në tregun e jashtëm.
“Duhet të jenë ekspertët që e bëjnë hulumtimin e tregut dhe të shihet se me çfarë mund të mbillet toka e Kosovës dhe të mos mbetet në këtë formë. Unë mendoj se kanë filluar investimet e shtetit në bujqësi, por me kapacitete minimale”, thekson Tahiri.
Institucionet e Kosovës, vazhdimisht kishin theksuar se po punojnë në rimëkëmbjen e bujqësisë. Po ashtu, ishte ngritur edhe buxheti për bujqësinë.
Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, nga 300 mijë euro sa ishte në vitin 2007, është rritur në 43 milionë euro në vitin 2015.
Gjithsesi, për të reflektuar sektori i bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, shton profesor Gjergjizi, duhet të bëhet investim në këtë sektor.
“Tani mendohet se investimet në bujqësi janë vetëm nga subvencionet, por këto janë vetëm një mbështetje e vogël. Duhet të bëhen investime nga vetë fermerët, edhe gjithsesi edhe shteti duhet të jetë mbështetës duke krijuar kushte të volitshme në infrastrukturë, si konsolidimi i tokës, riaftësimi i sistemit të ujitjes dhe riaktivizimi i industrisë përpunuese”, shton Gjergjizi.
Në programin qeverisës, i është dhënë një rëndësi e veçantë zhvillimit të bujqësisë.
Aty është theksuar se ” Qeveria do të angazhohet fuqishëm për promovimin e zinxhirit prodhues, nga prodhimi primar bujqësor, te përpunimi, ruajtja dhe tregtimi me produkte bujqësore, si dhe masa nxitëse kreditore dhe subvencionuese dhe përmirësimi i infrastrukturës publike./REL