Lajmet e fundit
Bujqësia e anashkaluar

Bujqësia e anashkaluar

Bujqësia, e cila konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha që ka Kosova, vazhdon të mbetet e pazhvilluar për shkak të investimeve të pakta që bëhen në këtë sektor.

Ekspertë të bujqësisë dhe përfaqësues të agrobizneseve, thonë se zhvillimi ekonomik më i përshpejtuar në Kosovë, mund të ndodhë vetëm nëse zhvillohet sektori i bujqësisë. Sipas tyre, me zhvillimin e bujqësisë mund të rritet Bruto Produkti Vendor dhe të zbutet shkalla e lartë e papunësisë.

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Rusinovci, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht faktit se sektori i bujqësisë është një nga sektorët më strategjik të një vendi, në Kosovë mbetet i anashkaluar. “Në Kosovë, kjo situatë në këto 14 vjet është thuajse alarmante, problemet janë grumbulluar. Si problem mjaft shqetësues janë strukturat qeveritare që nuk e trajtojnë si duhet Ligjin për shfrytëzimin, menaxhimin dhe ruajtjen e drejtë të tokës bujqësore”. “Kjo pasuri, ky resurs natyror po shkatërrohet, po degradohet dhe po tjetërsohet dita-ditës. Kjo gjendje të shpie në pasoja të mëdha dhe e cila mund t’i kushtojë shumë shoqërisë, por edhe brezave të ardhshëm”, thotë Rusinovci.

“Agrovizion”, është njëra nga kompanitë në Kosovë, e cila merret me bujqësi. Kjo kompani menaxhon 40 hektarë tokë bujqësore. Në tregun e Kosovës ajo është prezent me shumë prodhime bujqësore. Labinot Spahiu, menaxher i shitjes dhe marketingut në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se janë ndihmuar nga institucionet kompetente të Kosovës për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. “Ky sektor me kapacitete që ne punojmë, kërkon shumë investime deri te koha kur fillon kthimi i investimeve. Këtë do ta quaj një problem dhe sfidë”, bën të ditur Spahiu.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014. Ky plan, sektorin e bujqësisë e kishte konsideruar si një nga potencialet më të mëdha për zhvillim më të hovshëm ekonomik në vend. Institucionet e Kosovës vazhdimisht kishin theksuar se po punojnë në rimëkëmbjen e bujqësisë. Po ashtu, ishte ngritur edhe buxheti për bujqësinë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë nga 300 mijë euro sa ishte në vitin 2007, është rritur në 24.3 milionë euro në vitin 2013.

Sidoqoftë, investimi në këtë sektor, nga eksperti i bujqësisë Ymer Rusinovci  vlerësohet të jetë ende shumë i vogël.

“Bujqësia nuk ka një tretman, që meriton dhe të cilin duhet ta ketë. Nuk po marr ndonjë shembull që ka tretman të lartë në bujqësi, siç janë vendet e Bashkimit Evropian apo Amerika. Zakonisht modelet merren me shtete e rajonit. Në secilin prej vendeve të rajonit, bujqësia e ka një tretman shumë më të mirë krahasuar me ne, shikuar edhe nga projeksionimi buxhetor, shikuar edhe nga qasja dhe serioziteti”, vlerëson Rusinovci. Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës(REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published.